Raul Asencio do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në kockën e këmbës së djathtë
.
Mbrojtësi i Real Madridit e ka pësuar një çarje në kockë, problem që e ka shqetësuar prej disa muajsh dhe që nuk është zgjidhur me trajtimin konservativ.
Pas një takimi në Valdebebas mes lojtarit, stafit teknik dhe ekipit mjekësor, është vendosur që ndërhyrja kirurgjikale të jetë zgjidhja më e përshtatshme për ta zgjidhur problemin në mënyrë përfundimtare, shkruan “tuttomercatoweb”, përcjell Express.
Operacioni është planifikuar për të enjten, ndërsa Asencio pritet të qëndrojë jashtë fushave për të paktën dy muaj e gjysmë, me rikthimin e tij që mund të ndodhë në fund të vitit ose në fillim të vitit 2027.

Lëndimi i Asencios vjen në një moment delikat për Real Madridin. Mbrojtësi spanjoll ende nuk e ka luajtur asnjë minutë në ndeshje zyrtare këtë sezon, pasi më parë e kishte pësuar një dëmtim muskulor në fund të korrikut.
Ai ishte rikthyer në listën e të grumbulluarve në shtator dhe kishte qëndruar në stol në tri ndeshjet e fundit, por pa marrë minuta.
Situata në qendër të mbrojtjes është komplikuar edhe më tej nga mungesat e tjera, duke e lënë José Mourinhon me më pak alternativa në këtë repart.
Për Asencion, ndërhyrja synon ta zgjidhë përfundimisht problemin fizik dhe t’ia mundësojë rikthimin në fushë pa e rrezikuar përkeqësimin e lëndimit.