Kajli Uoker duket se ka kaluar në plan të dytë te bordi i Bajernit, aty ku sigurimi i Herri Kejnit është kthyer në kryefjalën e ditëve të fundit. Edhe pse u aludua paraprakisht se takimi Bajern-Mançester Siti do të finalizonte edhe kalimin e anësorit 33-vjeçar në Mynih, ende nuk ka informacione se çfarë po ndodh në prapavijë.
Megjithatë, portali “City Xtra” ka nxjerrë në dritë tentativën e drejtuesve të Mançester Sitit, të cilët i kanë propozuar kontratë të re, por që kanë marrë përgjigjen e menjëhershme, refuzimin.
Kjo panoramë bën të kuptosh se Kajli dëshiron vetëm bavarezët dhe nuk e ka ndërmend të zgjasë edhe një vit tjetër aventurën me kampionët e Champions-it.
“Daily Mail” raportoi para disa ditësh se Uokeri kishte arritur marrëveshje personale me kampionët e Gjermanisë dhe pengesa e fundit korrespondonte me akordin mes klubeve.
Personazhi në fjalë ka kontratë me “qytetarët” deri në verën e vitit 2024 dhe mbulon krahun e djathtë, ndonëse mund të shtrihet deri në mesfushë, teksa vlera sipas “Transfermarkt” shkon në 13 milionë euro.
PANORAMASPORT.AL