Havier Zaneti blin don argjentinasit e Interit. Zëvendëspresidenti i skuadrës zikaltër ka folur për mediat e vendit të tij, të cilat janë shumë të interesuara për të kuptuar të ardhmen e disa prej protagonistëve. Ai shpenzon fjalë shumë pozitive për të gjithë, duke nisur fillimisht me kapitenin Lautaro Martinez.
“Me Lautaron kemi folur gjithmonë, sidomos kur rikthehej nga transfertat që kishte me kombëtaren. Më thoshte që ishte i lumtur sepse fakti që shënonte shpesh e ndihmonte për të gjetur besimin dhe për të udhëhequr si kombëtaren ashtu edhe Interin. Ai është një pikë referimi për të dyja skuadrat.
E rëndësishme është që të ketë raste sepse herët a vonë do t’i shënojë. Të gjithë sulmuesit kanë momente edhe jo shumë të mira, por kur shënojnë gjithçka bëhet e lehtë. Tani portat janë hapur për të dhe duhet të jetë shumë i kënaqur besoj.
Është një djalosh që i pëlqen të punojë shumë dhe që insiston në mënyrë të vazhdueshme kur kjo gjë i jep rezultate. Po shënon gola të rëndësishëm dhe kam besim që mund të jetë lideri i Argjentinës në këtë Kupë Amerike”, tha fillimisht Zaneti.
Më tej ai foli edhe për rinovimin “virtual” që ka kapiteni me Interin.
“Kur në skuadër ke lojtarë të rëndësishëm si Lautaro është normale që ekipet e mëdha të kërkojnë informacione për të. Ai është tek Interi prej 6 vitesh dhe shumë pranë nesh. E ka treguar prej kohësh sa shumë e do këtë skuadër dhe kërkon të qëndrojë për të fituar sa më shumë trofe me ne. Është e vërtetë që ka arritur një marrëveshje me klubin dhe pasi të përfundojë Kupa e Amerikës besoj që do të zyrtarizohet si çështje”, ka sqaroi “Pupi”.
KARBONI- Havier ka prekur edhe një tjetër temë të nxehtë të merkatos së zikaltërve, Valentin Karboni.
Ai thotë se talenti do të rikthehet në Milano kur të mbarojë impenjimin me kombëtaren. “Pas kësaj Kupe Amerike, Valentin Karboni do të rikthehet tek Interi”, tha ai me bindje. Ai gjithashtu analizoi edhe favoritët për të fituar Kupën e Amerikës.
“Në garën për titullin mendoj që Uruguai është një ekip serioz për të shkuar deri në fund. Mendoj se është më shumë sesa Brazili, barazim me Argjentinën. Këto janë tri skuadrat protagoniste, por për momentin shoh dy më të favorizuara”, ishin fjalët e Zanetit.