Friday, 23. October 2026
Sport

Zbardhet djegia e makinës së një 50-vjeçareje në Vlorë, në pranga porositësi dhe autori i dyshuar

GS 23/10/2026 2 Min. Lesezeit

Policia e Vlorës ka zbardhur djegien e një automjeti të ndodhur rreth një muaj më parë në lagjen “1 Maji”, ngjarje e cila fillimisht ishte raportuar si aksidentale për shkak të një defekti teknik. Në kuadër të operacionit të koduar “Order”, janë arrestuar dy persona, të dyshuar si porositësi dhe autori i djegies së qëllimshme të makinës.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 22 shtator 2026, rreth orës 01:20, kur automjeti në pronësi të një 50-vjeçareje, banuese në Vlorë, u përfshi nga flakët.

Pas veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve arritën të zbulojnë se zjarri nuk ishte shkaktuar nga një defekt teknik, por ishte vënë qëllimisht.

Në pranga kanë rënë R. K., 33 vjeç, dhe T. K., 36 vjeç, të dy banues në Vlorë. Nga hetimet dyshohet se 33-vjeçari ka porositur 36-vjeçarin për t’i vënë flakën automjetit të 50-vjeçares.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.

Teilen: