Juventusi dhe tifozët bardhezi përqafojnë portierin e së ardhmes. Dje në “Kontinasa” ishte dita e Mikele Di Gregorios, i ardhur nga Monza për 18 milionë euro, plus 2 milionë të tjera në formë bonusesh.
26- vjeçari zbarkoi për të kryer vizitat mjekësore, të cilat i kaloi pozitivisht dhe më pas nënshkroi kontratën e tij 5-vjeçare (skadenca 2029), nga e cila do të përfitojë 2.3 milionë euro, plus bonuse. Di Gregorio kujtojmë se u shpall portieri më i mirë i sezonit të kaluar në Serinë A dhe për ta bërë të vetin Juventusi mposhti konkurrencën e disa klubeve italiane dhe angleze, ndonëse vetë ai sqaroi pse e deshi me ngulm transferimin te “Zonja e Vjetër”.
“Sapo hyn në këtë klub ndihet menjëherë një ajër ndryshe, diçka speciale. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një klubi kaq të madh, por në të njëjtën kohë e kuptoj se tani e në vazhdim edhe përgjegjësitë do të jenë shumë herë të mëdha. Gjithsesi unë nuk kam frikë, sepse kam bërë një rrugë shumë të vështirë, duke nisur nga Seria C për të mbërritur këtu dhe jam gati të tregoj se e meritoj besimin e klubit.
Pse zgjodha Juven? Sepse Juventus do të thotë ‘fitore’ dhe këtu kanë të gjithë një dëshirë të madhe për t’u rikthyer te titujt dhe unë jam gati që të jap ndihmën time”, u shpreh Di Gregorio.
PANORAMASPORT.AL