Inter e nisi me humbje rrugëtimin në fazën e grupeve në Champions League, pasi u mund 2-1 nga Real Madrid mbrëmë në “Santiago Bernabeu”. Përveç dy gafave të bëra nga vetë zikaltrit që i dhuruan fitoren madrilenëve, një detaj që ra në sytë e të gjithëve ishte se në fanellën e Interit nuk kishte asnjë sponsor.
Por pse ndodhi kjo gjë? Interi është detyruar të prodhojë një fanellë pa sponsorin Betsson.sport, i cili shfaqet në uniformat e tyre në kampionat, për shkak të rregulloreve që janë aktualisht në fuqi në Spanjë mbi reklamat e lidhura me bastet dhe lojërat e fatit. Turqia po ashtu zbaton të njëjtin rregull dhe nuk lejon operatorët e paautorizuar në vend të promovojnë reklamat e tyre.
Ndaj, të njëjtin fat si Inter do të ketë edhe Roma kur të përballet nesër me Fenerbahce në Stamboll. Po ashtu, Inter do duhet të zbresë në fushë pa sponsorin e saj kryesor në fanellë edhe kur të përballet në Holandë, ndaj Feyenoord.