Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Ylber Ramadani, i ka dhënë lamtumirën klubit të Lecces në Serinë A dhe është transferuar në Turqi në radhët e klubit të Çorum, i sapongjitur në elitën e këtij vendi.
Për shumëkënd ky dukej si një hap deri diku jo edhe aq i rëndësishëm për mesfushorin, pasi linte një kampionat elitar ku kishte një rol protagonisti, për të zgjedhur një klub jo të dorës së parë në kampionatin turk.
Por për Ramadanin, kjo ishte një mundësi e artë për të siguruar fitime marramendëse në krahasim me çfarë ka siguruar deri tani gjatë karrierës së tij.
Mediat italiane kanë zbuluar se Ramadani do të përfitojë një rrogë neto prej 1,5 milionë eurosh në vit te klubi i Çorum, me të cilin ka nënshkruar për dy vite, me opsion rinovimin edhe për një të tretë.
Kjo është një rritje e ndjeshme, thuajse dyfishi në krahasim me çfarë përfitonte te Lecce.
Ramadani e ka nisur karrierën në Kosovë te Ferizaj. Më pas është aktivizuar me Dritën e Prishtinën ndërkohë që karrierën jashtë Kosovës e ka filluar në Shqipëri për tu transferuar më pas në Hungari, Danimarkë, Skoci e Itali.