Rrotacioni është një nga armët më të forta të këtij sezoni për skuadrën e Interit, por jo më.Kundër Bajernit do të luajë skuadra më e mirë, ajo që do të zbrisnin në fushë 999 persona nga 1000 të mundshëm. Madje, edhe kundër Bolonjës ditën e diel, nuk do të ketë shumë ndryshime. Në fakt, është herët për ta thënë, sepse Simone Inzagi është duke menaxhuar forcat e një ekipi që ka arritur në 48 ndeshje këtë sezon dhe forcat janë ezauruar. Por në mendjen e trajnerit për momentin ekziston pak dëshirë për rrotacion për të mbërritur gjysmëfinalen e Champions-it dhe një sfidë delikate për titullin.
LAUTARO I FRESKËT- Sepse momenti është vendimtar. Sepse sfida ndaj ekipit të Kompanisë është ende e vështirë dhe sepse Bolonja shihet si një pengesë e madhe drejt titullit kampion. Sepse kalendari i ndeshjeve dyshe është perfekt, duke lënë 4 ditë pushim mes Kaljarit dhe Bajernit dhe po aq mes Bajernit dhe Bolonjës. Edhe për të gjitha aspektet, kjo javë ka qenë perfekte për Inzagin në menaxhimin e forcave. Trajneri ka bërë rrotacion në mënyrë që asnjë nga lojtarët të mos vijë me minutazh të plotë në këto sfida, duke llogaritur Udinezen dhe Kaljarin. Nga Lautaro deri te Zomer, nga Darmian deri te Turam, janë vetëm 8 lojtarët që Inzagi mund dhe duhet t’i thërrasë në këtë impenjim dysh. Lautaro mbi të gjithë, që fizikisht është në formë optimale. “Demi” ka shfrytëzuar dëmtimin në Bergamo. Nuk është paradoks, por stafi mjekësor e ka trajtuar me kujdes situatën e tij në mënyrë që të mos rrezikonte, si përshembull përjashtimi i tij për derbin ndaj Milanit. Bajerni dhe Kaljari janë konfirmimi për një sulmues që këtë sezon ka arritur të shënojë 20 gola sezonalë. Dhe në Champions trajneri do t’i besojë atij nga fillimi. Ai dhe 10 të tjerë.
ZGJEDHJET- Mes Bajernit dhe Bolonjës, rrotacionet priten dhe parashikohen vetëm në mbrojtje. Açerbi do të ritakojë Kejnin, por për Pashkë, De Vraj është favoriti. Edhe në krah pritet Dimarko nga minuta e parë, pavarësisht se Karlos Augusto është duke bërë një sezon të shkëlqyer. Nga të tjerët vështirë që të privohet. Në mesfushë do të jenë si gjithmonë Mkitarian, Çalhanoglu dhe Barela dhe duhet të bëjnë kujdes sepse Zielinski vazhdon ende i dëmtuar. Në Kupë do të jetë Martinez në portë, por në Champions dhe kampionat Zomer nuk preket. Kjo gjë vlen për të, vlen edhe për Darmianin, që pushoi ndaj Kaljarit. Turam gjithashtu ka karikuar bateritë për dy ndeshjet e radhës. Që kjo do të ishte një javë vendimtare për fatet e sezonit, Inzagi e dinte që kur kaloi Fejnordin. Kundër Bajernit, zikaltrit do të luajnë 49 ndeshje, aq sa luajti në total në vitin e kaluar. Por zikaltrit janë futur në një dimension tjetër: sa më shumë ndeshje, sepse janë si vitamina.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL