Besfort Zeneli e ka kërkuar largimin nga skuadra suedeze Elfsborg, pasi ka dëshirë të kalojë te Royale Union Saint-Gilloise në Belgjikë.
Zeneli që u largua nga Kosova për të përfaqësuar Suedinë publikisht ka shprehur gatishmëri që të luajë në një ligë tjetër, pasi tërë karrierën e ka kaluar te Elfsborg.
Në një intervistë për “FotbollDirekt”, Zeneli thotë se edhe verën e kaluar negocioi me klubin belg, por marrëveshja dështoi në fund.
“Nuk kam dëgjuar ndonjë gjë për çmime dhe nuk e di nëse është e vërtetë ose jo. Por, e di që kanë interesim që një kohë të gjatë. Kishte disa bisedime edhe verën e kaluar, por nuk ndodhi. Tani, kam dëgjuar nga agjenti se ka interesim që kur sezoni përfundoi, prandaj jam në dijeni që një kohë. Është vështirë të flitet për çmime, por ka shumë para në pyetje dhe jam i lumtur që përmenden këto vlera. Çmimet në futboll janë të çmendura”, tha ai.
Ndër të tjera, Zeneli konfirmoi se është i gatshëm për një aventurë larg kampionatit suedez.
“Asgjë nuk është e qartë, por kam pak ide për klubin. Siç po thoni, e kanë fituar ligën vitin e kaluar, po luajnë në Ligën e Kampionëve këtë vit dhe janë të parët në ligë. Është klub i mirë, nëse do të jetë hap i duhur ose jo mbetet për t’u parë, nëse e bëj hapin. Por, është klub i mirë. Jam i gatshëm që në janar. Do të shohim nëse do të ndodhë ose jo, vështirë të thuhet. Ka disa javë të mbetura në afatin kalimtar, por ndihem gati dhe besoj se është koha që të lëvizi diku. Ndoshta është koha”, u shpreh ai
Mbi të gjitha, Zeneli insistoi se dëshiron një klub më të fortë në mënyrë edhe që të merr ftesë nga Suedia për play-offin e Kupës së Botës në mars.
“E kam dëshmuar kur jam zgjedhur edhe pse luaj te Elfsborgu. Por, nuk do të na lëndonte sikur të shkonim te një klub në ligën e parë dhe luan në Ligën e Kampionëve. Kemi një kualifikim të rëndësishëm në mars, në të cilin vërtetë dua të jem pjesë”, u shprej Zeneli.


