Për të tretin sezon radhazi, Cristiano Ronaldo mbetet duarthatë.
Al Nassr ka mbetur 11 pikë prapa Al Ittihad, që është lider i Saudi Pro League, duke e humbur edhe zyrtarisht mundësinë që ta fitojë titullin e fundit të mbetur në dispozicion.
Nuk është një risi, sepse distanca ishte e madhe dhe pritej veç qartësia matematike për t’iu shuar shpresat “CR7” me shokë.
Ky është një fakt që demonstrohet edhe një herë se zgjedhja e portugezit për të zbarkuar në Arabinë Saudite ishte pozitive vetëm në aspektin financiar, e natyrisht jo edhe në planin sportiv.
Janë 11 turne apo gara në të cilat ka marrë pjesë ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit dhe që skuadra e tij nuk ka arritur të fitojë përkundër numrave impresionuese të 40 vjeçarit në nivelin individual.
“CR7” i ka zhvilluar 103 ndeshje në këto dy vjet e gjysmë duke i realizuar 91 gola dhe i ka bërë 19 asistime.
Objektiv i tij i vetëm tash për tash është që të konfirmohet golashënuesi më i mirë i kampionatit: ai është në krye të renditjes me 23 gola, dy më shumë se Benzema dhe Hamdallah.
Ndërkohë, pesë herë fituesi i Topit të Artë me gjasë do ta vazhdojë kontratën me Al Nassr për një vit tjetër ndonëse së fundmi ka nisur të kritikohet nga një pjesë e tifozëve të këtij ekipi.