Havier Zaneti men don se shorti i Ligës së Kampioneve do të jetë i ekuilibruar, për shkak të Diego Simeones dhe karakterit që i ka dhënë Atletikos së Madridit. Në një intervistë për “Planet365.news”, zëvendëspresidenti i Interit ka folur jo vetëm për Europën, por për një sërë temash të aktualiteti zikaltër.
Në Ligën e Kampioneve do të përballeni me Atletikon e një ish-interisti si Simeone…
“Cholo”-n e njoh shumë mirë sepse jemi miq dhe njoh po ashtu aftësitë e tij stërvitore. Djemtë e tij nuk dorëzohen deri në fund. Ne do të përballemi me një ekip të fortë që mishëron vizionin e tij për futbollin dhe besoj se do të jenë dy ndeshje shumë të balancuara sepse nga të dyja palët do të përgatiten sa më mirë.
Si i shihni ndeshjet e italianëve në Europë?
Janë të gjitha ndeshje të komplikuara dhe të vështira, por nuk mund të ndodhte ndryshe pasi të kalonte faza e grupeve. Të gjithë italianët do të garojnë kundër skuadrave me vlerë dhe traditë, veçanërisht në Ligën e Kampioneve. Ne do të duhet të përgatitemi për ndeshjen sa më mirë të mundemi dhe të arrijmë në formën optimale në shkurt, kur do të luhet ndeshja e parë. Ekzistojnë të gjitha kushtet për të ecur përpara, por ne e dimë mirë që çdo ndeshje ka kurthe, siç na ka mësuar shpesh futbolli. Ne do të përpiqemi në çdo mënyrë të jemi në gjendje të ndjekim rrugën tonë.
Nga viti i ardhshëm Liga e Kampionëve do të ndryshojë formulën. A mendoni se është një risi efektive për të rritur konkurrencën?
Me këtë format të ri, konkurrenca sigurisht që do të rritet dhe të gjithë pjesëmarrësit, do të kenë shanse të mëdha për të ecur përpara. Liga e Kampioneve është tashmë një ngjarje shumë magjepsëse në vetvete dhe kjo risi do ta bëjë atë edhe më tërheqëse.
Dhe a ju pëlqen “Final Four”-i i ri i Superkupës së Italisë që do të debutojë në janar?
Ne po prezantojmë për herë të parë një format që ka kohë që është prezent në ligën spanjolle. Nga pikëpamja futbollistike, e rëndësishme është të arrijmë në finale dhe të luajmë për trofeun.
Përgatiti: NISLI GJINI- PANORAMASPORT.AL