Sunday, 26. April 2026
Sport

Zgjodhi PSG-në para Realit në vitin 2017, Mbappé zbulon: Nuk doja të rrija në stol

GS 12/10/2025 2 Min. Lesezeit

Pasi u largua nga kampi stërvitor i Francës, Kylian Mbappé është kthyer tashmë në Madrid për të kontrolluar kyçin e këmbës. Ndërkohë, golashënuesi francez dha një intervistë të gjatë në të cilën ai foli për aventurën e tij të re te Real Madridi, por kujtoi dhe kohën e tij te PSG dhe shoqërinë e Lionel Messit e të tjerëve.

“Pse PSG dhe jo Real Madrid në vitin 2017? Në atë moment, gjithçka ishte shumë e qartë. Kur u largova nga Monaco, objektivi ishte i qartë: të luaja. Te Reali ishin Benzema, Cristiano dhe Bale dhe nuk doja të qëndroja në stol. Të gjitha klubet në Evropë më thonin se do të luaja, por e dija që në Madrid nuk do të ishte kështu”, tha sulmuesi francez. “Sigurisht, ishte ëndrra ime, por të jesh titullar është një privilegj, dhe pata mundësinë të qëndroja në shtëpi, në Paris. Jetova shtatë vite të pabesueshme atje. Krenaria e të luajturit aty ku ke lindur është diçka e veçantë, por padyshim që kisha ëndrrën të luaja për Madridin. Ishte e pabesueshme të luaja në Paris”.

Sa i përket përvojës me Messin në stërvitje dhe në fushë: “Kur flasim për lojtarët që kanë bërë histori, mendojmë për Messin. Ai është një person shumë normal në dhomën e zhveshjes. Kur je i famshëm, shumë njerëz të ngjisin një etiketë dhe nëse i dëgjon, kjo të futet në mendje, por jo, ai ishte krejtësisht normal dhe i respektonte të gjithë”, zbuloi Mbappé.

“Si lojtar, ai ishte unik. Kur ke dikë të tillë në ekipin tënd, duhet të jesh pranë tij dhe të vëzhgosh gjithçka që bën. Ai më ndihmoi shumë ta kuptoja lojën. Ishte një bekim për mua, isha me fat që luaja me Leo Messin. Nuk e mendoja se do të luaja ndonjëherë me të në karrierën time”.

Teilen: