Zhegrova ftohet për Kupë, rezervist ndaj Atalantas
Edon Zhegrova është përfshirë në listën e lojtarëve të ftuar nga Juventusi për ndeshjen kundër Atalantas në kuadër të Kupës së Italisë.
Trajneri Luciano Spalletti ka publikuar listën e 23 lojtarëve të ftuar për këtë përballje, ndërsa në mesin e tyre është edhe Zhegrova.
Ndeshja Atalanta – Juventus, luhet sot prej orës 21:00 dhe i takon fazës çerekfinale të Kupës së Italisë, ku skuadra fituese do të avancojë në gjysmëfinale të kësaj gare.
Përkundër që është ftuar nga trajneri Spalletti, Zhegrova nuk pritet të jetë titullar te Juventusi kundër Atalantas.
Ai do të jetë në bankën e rezervistëve dhe mbetet të shihet nëse do të ketë minutazhë, duke pasur parasysh se në dy ndeshjet e fundit kampionale, të cilat Juventusi i fitoi me rezultat bindës, ylli i Kosovës nuk u aktivizua fare.