Për ndeshjen e dytë rresht, hyrja e Edon Zhegrovës ndryshoi plotësisht lojën e skuadrës së Juventusit.
Përderisa ndaj Galatasarayt mesjavën e kaluar kontributi i Zhegrovës nuk ishte i mjaftueshëm, të dielën Juventusi nxori një pikë në ndeshjen kampionale kundër Romës.
Trajneri Luciano Spalletti e aktivizoi Zhegrovën në minutën e 72-të, kur Juventusi po pësonte 3:1 në Romë, dhe sulmuesi i krahut mori pjesë në dy aksionet që sollën barazimin 3:3 për skuadrën nga Torino.
Goli i Jeremie Bogas në minutën e 78-të dhe ai i Federico Gattit në minutën e 93-të u shënuan pas krosimeve të Zhegrovës, i cili u vlerësua për paraqitjen e tij.
“Ka shpërthime entuziazmi të krijuara nga momentet e cilësisë. Boga ka intuitë dhe mund të krijojë situata nga asgjë, ashtu si Kenan Yildiz dhe Zhegrova”, ka thënë Spalletti.
Paraqitja e Zhegrovës është vlerësuar lart edhe nga gazeta “Tuttosport”, mediumi i afërt me Juventusin.