Një gol dhe… autogol. Të dyja me Juventusin. Duke dashur të përkufizojmë parasezonin e Olivie Zhirusë në kontekstin e statistikave të thjeshta, duhet të ndalemi këtu. Shumë pak, por natyrisht, duke mos qenë as mesi i gushtit dhe duke folur për një lojtar që për një muaj e gjysmë do të mbushë 37 vjeç, nuk jemi në fushën e kritikave, por të vëzhgimeve. E pamundur, megjithatë, të injorohet prodhimtaria e tij ofensive pak ditë pas fillimit të kampionatit.
PLANI I MERKATOS – Kishte një periudhë – dhe ne po flasim vetëm për disa javë më parë – në të cilën “djalli” filloi të mendonte se kujt t’i jepte vendin e dytë dhe të fundit për qytetarët jashtë BE-së (anglezët në atë kohë ishin “joeuropianë” dhe Loftus-Çik kishte mbërritur tashmë në ekip). Nevojat ishin të qarta, me kuqezinjtë që kishin nevojë për një anësor të djathtë dhe një qendërsulmues tjetër. Kandidatët ishin Çukvueze dhe iraniani Taremi. Klubi dhe trajneri reflektuan për një kohë të gjatë dhe në fund favorizuan forcimin në krah. Një zgjedhje e ligjshme, cilado qoftë ajo, sepse kishte dy boshllëqe për t’u mbushur. Vetëm se tani korsia e djathtë është e plotë dhe padyshim me konkurrencë, ndërsa kutia e qendërsulmuesit mbetet ende e paplotë.
ROLI I NËNTËSHIT – Por pse Milani, tani që ka sërish një vend në dispozicion, nuk kthehet fuqishëm me Taremin? Çështje buxheti pasi blerja e Çukvuezes, dhe më pas e Musahut, kanë shteruar pjesën më të madhe të disponueshmërisë, teksa Porto mbetet një dyqan i shtrenjtë. Një muaj më parë portugezët kërkonin rreth 30 milionë për Taremin, të cilat mbase mund të arriheshin me bonuse, por gjithsesi duke u nisur nga një bazë parash jo më e vogël se 25 milionë. Për këtë arsye në “Casa Milan” zgjodhën rrugë të tjera.
Njëra çon në blerjen nga jashtë të një të riu me një perspektivë me kosto të ulët; një tjetër për Lorenco Colombo, i cili ka këto karakteristika dhe tashmë është në ekip dhe më pas padyshim që ka pasur edhe blerjen e Okaforit, për të cilën ekziston një dyshim taktik që do të zhbëhet së shpejti. Në fakt, zvicerani mund të luajë si në qendër të sulmit, ashtu edhe në krah (veçanërisht në të majtë), por është veçanërisht komod kur vjen nga korsia për të synuar qendrën. Dhe kur në të kaluarën ka vepruar në qendër, Okafor e ka bërë në një sistem me dy sulmues dhe jo si referencë e vetme ofensive. Pioli, si të thuash, në rotacionet në Monza e futi atë në vend të Leaos, dhe jo të Zhirusë, vendin e të cilit e mori Kolombo.
PREZENCIALIST – Të gjitha reflektimet që, siç janë gjërat tani, çojnë në një pasojë: për momentin i vetmi qendërsulmues i vërtetë për sa i përket rolit dhe peshës është Zhiru. Ai ishte dhe mbetet mbajtësi i fanellës së titullarit, pavarësisht 37 viteve të tij. Problemi: a është legjitime t’i kërkosh atij një sezon tjetër si vitin e kaluar, kur zbriti në fushë 47 herë (nga 52 ndeshje gjithsej të kuqezinjve), nga të cilat 38 si titullar, duke përfunduar me minutazhin e gjashtë të të gjithë skuadrës? Përgjigja merret me mend, prandaj do të jetë e nevojshme të “edukohet” Okafori që të recitojë si qendërsulmues dhe t’i besohet Kolombos apo kujtdo qoftë që do të vinte si opsion i tretë që është vërtet i dobishëm për kauzën. Situata është e jo pak shqetësuese dhe miqësoret e verës po e konfirmojnë.
PANORAMASPORT.AL