Sot në orën 20:45, Franca do të presë Greqinë për ndeshjen e vlefshme për javën e katërt të eliminatoreve të Europianit, i cili do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Gjermani.
Trajneri pritet t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion, ndaj shqetësimi i tij ka lidhje vetëm me terrenin e lojës. Në fakt, në stadiumin ku “gjelat” do të luajnë sot, është i njëjti ku të shtunën luajti kombëtarja e ragbisë. Deshamp i druhet një fushe të rënduar, ndaj në konferencë për shtyp nënvijëzoi.
“Ndaj Gjibraltarit fusha ishte skandaloze dhe shpresoj që të mos jetë përsëri kështu ndaj Greqisë. Kam besim te personeli që merret me mirëmbajtjen. Do të lutemi për ta sepse nuk kanë një detyrë të lehtë”.
Franca ka një ndeshje më shumë sesa Greqia, ndaj sot i nevojitet një fitore për të mbajtur rivalët në distancë sigurie. Edhe trajneri i nënkampionëve të botës dëshiron ta mbyllë sa më mirë këtë moment të fushatës kualifikuese.
Lidhur me rivalin, ai shpjegoi: “Kemi përballë një kundërshtar shumë më cilësor, që nuk do të mendojë vetëm për t’u mbrojtur si Gjibraltari. Kanë një ekip shumë të mirë, me potencial interesant siç e dëshmoi edhe fitorja e fundit, por kam besim të lojtarët e mi duke nisur nga Menja që do të luajë e deri te Zhiru që po na jep kënaqësi”.
ZHIRU – Olivie Zhiru ka shënuar 24 gola këtë sezon: 18 me Milanin, 6 me Francën, përfshirë 4 në Kupën e Botës, e humbur në finale kundër Argjentinës. Ai nuk kishte shënuar aq shumë që nga sezoni 2015-’16 me Arsenalin, 24 gola edhe në atë rast. Asokohe ishte tridhjetë vjeç dhe kënaqej si sot.
Këto nuk janë statistika që i kanë të gjithë moshatarët e tij dhe Pioli duket se do të ketë ende nevojë për të. Pasi i vodhi rekordin si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me Francën, Olivie Zhiru i është bashkuar Tieri Henrisë në vendin e tretë në renditjen speciale që numëron paraqitjet me fanellën e Francës. Ndeshja e së premtes kundër Gjibraltarit, e zbukuruar gjithashtu me një gol, ishte e 123-ta për sulmuesin e Milanit me kombëtaren e tij, që tani synon të qëndrojë i vetëm në shkallën e tretë të podiumit. Në vend të parë është Hugo Loris me 145 prezenca dhe ndiqet nga Lilian Turam me 142.
PANORAMASPORT.AL