Para pak kohësh, Zinedine Zidane ka folur hapur për episodin që tronditi finalen e Botërorit 2006, kur u ndëshkua me karton të kuq pas përplasjes me Marco Materazzin: “Të pajtohem me Materazzin? Më mirë të vdes sesa t’i kërkoj falje një njeriu të lig. Është e qartë që më vjen keq, por nëse do të kërkoja falje, do të pranoja se ajo që bëri ai është normale.
Dhe për mua nuk ishte normale. Në fushë ndodhin shumë gjëra, nuk ishte hera e parë që gjendesha në një situatë të ngjashme, por aty nuk arrita të rezistoja. Sepse, nuk është justifikim për mua, nëna ime ishte e sëmurë. Ishte në spital dhe njerëzit nuk e dinin këtë. Për mua ishte një moment i vështirë. Shumë herë gjatë karrierës më kanë fyer nënën dhe nuk jam përgjigjur kurrë. Por aty…, aty u përgjigja. Dhe t’i kërkoj falje atij…
Nëse do të kishte qenë Kaká, një njeri normal, një person i mirë, sigurisht që do t’i kisha kërkuar falje. Por atij jo. Nëse do t’i kërkoja falje, do të tregoja mungesë respekti ndaj vetes dhe ndaj të gjithë njerëzve që i mbaj thellë në shpirt. I kërkoj falje futbollit, tifozëve, skuadrës, për këtë po. Pas ndeshjes hyra në dhomat e zhveshjes dhe thashë: ‘Më falni. E di që kjo nuk ndryshon asgjë, por iu kërkoj falje të gjithëve’.
Por atij nuk mund t’i kërkoj falje. Kurrë, kurrë, do të ishte sikur të çnderoja veten, më mirë të vdes. Të rinjve duhet t’iu thuhet se mund të luhet në një mënyrë më fisnike. Në fushë mund të ndodhin gjëra të pakëndshme, por futbolli është një sport dhe nuk duhet të ketë poshtërime. Unë flisja pak, por ua thosha disa gjëra kundërshtarëve, në varësi të njerëzve që kisha përballë.
Ka rivalë që janë padyshim shumë të këndshëm, që bëjnë shaka, që të bëjnë të qeshësh. Por nëpër botë ka edhe njerëz të ligj. Dhe këta njerëz nuk dua t’i dëgjoj duke folur. Çfarë mund të më thonë? Gjatë karrierës sime kam takuar kundërshtarë argëtues, arbitra të këndshëm dhe shokë skuadre që më bënin të qeshja çdo ditë. Si Ronaldo, ai ishte Fenomen në çdo kuptim”.