Dëshirë dhe forcë. Për forcën e Interit nuk ka pasur kurrë dyshime. Një grup i jashtëzakonshëm lojtarësh që në sezonin e kaluar e çoi fanellën te rrobaqepësi që në prill për të qëndisur yllin e dytë.Në merkato i mbajti të gjithë futbollistët e rëndësishëm dhe ka afruar kampionë të rinj. Është logjike ta mendosh si një nga skuadrat favorite për titullin kampion. Sa i përket dëshirës, fillimi jo perfekt na “Marassi” la disa pikëpyetje dhe të bënin të mendoje që duhet një vëzhgim i thellë, sidomos pasi na mësoi që ishte një ekip i frikshëm sezonin e kaluar. A do të ulen në tavolinën e Serisë A me të njëjtën uri Lautaro me shokë? Fitorja 2-0 ndaj Leçes në “San Siro” riktheu edhe një herë tjetër pasionin si të ishim një vit më parë. Dhe përgjigjja është po. Ky Inter ka një avantazh që të tjerët nuk e kanë. Inzagi me të tijtë e njohin rrugën për të arritur në majë dhe për të qëndruar. Nga këtu duhet të rinisen, me pikat e forta të rigjetura në ndeshjen e parë shtëpiake, me soliditetin mbrojtës, shpirtin e sakrificës, kualitetin e mesfushës dhe shtysën e krahëve. Kështu Interi mund të kërkojë titullin e dytë radhazi. Nuk është objektiv, është një fiksim.
RROTACION- Transferimi i Palacios që ka zbarkuar në Milano ka bërë që zikaltrit të plotësohen totalisht. Organika që menaxhon trajneri Inzagi është e shumtë, e pasur dhe me kualitet. Presidenti Marota dhe Auzilio i kanë plotësuar çdo kërkesë trajnerit në një sezon të gjatë dhe me shumë impenjime. Sigurisht që tani do të ndryshojë kuptimin edhe rrotacioni. Më parë ishte një mundësi, ndërsa tashmë është domosdoshmëri. Trajneri mund të bëjë ndryshim lojtarësh dhe të mos e prishë nivelin e skuadrës. Shembulli ideal është me lojtarin që ka pas shpine numrin 99. Pasi mori pjesë në golin e Turamit në Xhenova si zëvendësues, Taremi u konfirmua lojtar me vlera dhe me eksperiencë në ndeshjen e parë si titullar me Leçen. Lautaro u dëmtua, por sulmi i Interit nuk e humbi rrezikshmërinë. Zikaltrit fituan dhe shumë shpejt listës do t’i shtohet Zielinski. Trajneri mund t’i përziejë kartat dhe skuadra të luajë me të njëjtin intensitet dhe dëshirë si kurrë më parë. Fratezi, Dumfris, Bisek dhe Palacios janë garanci nga stoli.
FAKTORI JUVE- Konkurrenca sigurisht që sjell stimuj të rinj. Rivalët e Interit nuk kanë qëndruar duarkryq, por kanë punuar dhe janë përmirësuar për të zbehur diferencat e mëdha që ishin në sezonin e kaluar. Mbi të gjitha Juventusi. “Zonja” ka ndërtuar një grup të ri lojtarësh dhe ia ka besuar ringritjen ideve të Tiago Motës dhe e nisi mirë ndaj Komos. Sfida në distancë sigurisht që ka pompuar stimujt dhe ka karikuar Interit. Markus Turam ka një derbi në familje me Kefrenin, ndërsa Taremi i ka dhënë mirëseardhjen Konseisaos, dikur shokë te Porto. “Jam i lumtur për të, por unë jam lojtar i Interit dhe dua të fitoj. Do të jetë një sfidë e bukur”, ka thënë iraniani. NISJE SI MOU- Sfida e lojtarëve për ta mbajtur fort stemën në kraharor është bërë një mision i pamundur në sezonet e fundit. Pas titullit të Juventusit të Sarrit në sezonin 2019-2020, asnjë ekip nuk ia ka dalë të konfirmohet një vit më vonë. Interi i Kontes theu hegjemoninë e Juves, ndërsa në kampin bardhezi dy tituj radhazi mungojnë që nga 2009-2010, 14 sezone më parë. Inzagi iu ka hedhur një vështrim statistikave. Interi e nisi me 4 pikë në 2 javët e para dhe në fund ngriti kupën e kampionatit të Italisë. Dhe jo vetëm atë…GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL