Me dy fitore me rezultatin e njëjtë 1-0, Franca udhëheq grupin e saj të Nations League. Një paraqitje e mirë e kombëtares së “gjelave” me trajnerin Zinedine Zidane që e ka nisur mbarë aventurën e tij.
Në fitoren e djeshme 1-0 ndaj belgjikës, Zidane bëri nëntë ndryshime në formacion, duke u dhënë mundësinë për debutim Jérémy Jacquet, Andy Diouf dhe Lucas Da Cunha, ndërsa lojtarë të rinj si Maghnes Akliouche dhe Esteban Lepaul fituan një vend në formacionin titullar.
“Besoj te lojtarët e mi. Besoj se kam një grup, një skuadër, që shkon mirë dhe punon mirë së bashku. Kam lojtarë me cilësi të lartë,” tha trajneri i Francës.
“Nuk kisha aspak frikë se çfarë mund të ndodhte. Ashtu ishte planifikuar që në fillim. I thashë vetes se kam 23 lojtarë në dispozicion dhe do t’i përdor të gjithë në fund të fundit“, shtoi Zidane.
Para se Olise të zhbllokonte rezultatin në fund të ndeshjes, Franca dominoi, por hasi vështirësi në finalizim. Portieri belg Senne Lammens bëri disa pritje vendimtare, ndërsa Désiré Doué goditi traversën në minutën e 12-të dhe Da Cunha goditi shtyllën me një gjuajtje të fuqishme nga rreth 23 metrash largësi.