Pse Jan Zomer po pëson më shumë gola në këtë sezon? Është çështje moshe e mbrojtjes zikaltër? Pse Interi nuk është si sezonin e kaluar? A mundet t’i fitojë të dy trofetë e rëndësishëm këtë sezon? Për të gjitha ka një përgjigje portieri zviceran. Në një intervistë në “Gazzetta Dello Sport” vendos të heqë dorezat.
Zomer, kush është shoku me “zviceran” në këtë Inter?
Darmian. Ai ndihet francez, por është zviceran. Është i organizuar, një shok i jashtëzakonshëm. Kur erdha i bëja disa pyetje dhe ai përgjigjej për gjithçka. Pyet dikë, shkon diku, bën diçka. Është efecient dhe i saktë. (Në atë moment gjatë intervistës troket dera dhe gjejeni kush është? Darmian. Sjell kafe dhe biskota për të gjithë). Askush nuk na trajton kështu. Ky është Interi.
Në rregull, shpirti i grupit është i njëjtë. Por nga ndryshon ky Inter nga ai i vitit të kaluar?
Çelësi i sekretit për sezonin e kaluar ishte kualiteti i grupit dhe individual. Kishte ekuilibër total mes mbrojtjes dhe sulmit. E mbronim avantazhin si të çmendur sikur nuk kishte më ndeshje pas asaj që po luanim. Ishim perfektë në gjithçka dhe kurrë nuk e ulëm nivelin. Tani jemi kampionët në fuqi dhe të tjerët duan të na mundin. Kjo është një diferencë e madhe. Skuadra pak a shumë është e njëjta, por pavarësisht se e kemi nisur me hapa të ngadaltë besoj që do ta mbyllim super.
Mendoni se do të jetë një sezon që do të luftohet pikë për pikë?
Imagjinoj një sezon shumë të vështirë. Por edhe vitin e kaluar përpara sesa të nisnim arratinë ishim në vendin e dytë. E kemi parë se sa të forta janë Juvja me Napolin, por edhe Milani duhet patur kujdes. Të shohim kush do të rezistojë deri në fund. Dhe kur thuhet që çdo ndeshje është e vështirë në Itali nuk është retorikë. Është realiteti.
Pse është kaq e vështirë që ta rifitosh kampionatin?
Që nga koha e Juventusit askush nuk ia del… Është gjithçka në mendje. Nëse fiton, je i lumtur dhe deri diku i çliruar. Bën më pak sesa viti i kaluar dhe në këto nivele nuk duhet ta bësh këtë gabim.
Çfarë po i ndodh mbrojtjes së Interit? Ku është problemi?
Përgjigjja është shumë e thjeshtë dhe vetëm me një fjalë të vetme që e kam mësuar mirë në Itali: Masat e marra. Nuk i bëjmë më ato markime si në sezonin e kaluar. Ishim shumë kompaktë dhe të orientuar. Ishte shumë e vështirë që të depërtonin të tjerët. Kjo duhet për t’u rikthyer në nivelin tonë. Kemi shumë kualitet dhe gola do të shënojmë gjithmonë. Duhet thjesht të bëjmë pak më mirë në mbrojtje.
Shumë mendojnë se skuadra po vjetrohet, sidomos në mbrojtje?
Jo. Mosha nuk është një problem. Mjafton të shohësh si luajnë Mkitarian dhe Çalhanoglu, ashtu si mbrojtësit nga Açerbi dhe Darmian. Jemi të gjithë në formë dhe profesionistë. Është normale që ndonjëherë të jesh pak nën nivel, por nuk është çështje moeshe.
Vitin e kaluar objektivi i deklaruar ishte ylli i dytë. Këtë sezon është Championsi?
Është e mundur që të bëjmë rezultate pozitive në të dy frontet falë skuadrës që kemi. Nuk është e lehtë sepse kalendari është shumë i ngjeshur. Por sigurisht që Champions-i është objektivi ynë. Në këto 8 ndeshjet e para duhet që të japim gjithçka. Niveli ynë është më superior sesa faza e 1/8- ave që arritëm vjet. Por sigurisht që duhet të mbajmë standardin e kampionatit.
Cili është roli i Inzagit në këtë kontekst?
Ka një mentalitet fitues dhe kjo bën diferencën. Ai bën gjithçka që duhet për të fituar, përgatitjen, analizën ndaj rivalit, etj. Duhet të punojmë në limite. Kemi nevojë për këtë. Unë adhuroj të punoj me trajnerin.
Ku e shihni veten në të ardhmen?
Kontrata ime skadon në vitin 2026 dhe nuk e di ku do të shkoj. Nuk e kam menduar ende, por këtu në Milano ndihem i lumtur. Kam disa sfida përpara. Tani të gjithë energjinë e çoj tek Interi.
Keni afruar edhe një portier. Çfarë tipi është Martinezi?
A është ai e ardhmja e Interit? Kemi një raport të mirë. Ka qenë edhe në Gjermani me Lajpcigun, por nuk ka mësuar gjermanisht. Është një djalosh i zoti dhe një portier i shkëlqyer. Ka potencial dhe është ndryshe nga unë. Është më i gjatë dhe i mbushur. Më mirë për Interin që ka mundësi zgjedhjeje.
Kishit ju një idhull, apo model në Itali që e ndiqnit?
Më duhet të them Bufon. Nuk ishte vetëm portier. Ai ishte i kompletuar në të gjitha aspektet. Në karakter, në shpejtësi dhe karizëm. E kam parë me admirim dhe jam inspiruar prej tij.
Mendoni edhe ju se Lautaro e meriton “Topin e Artë”?
Jam dakord me Leo Mesin. Unë e kam njohur Lautaron një vit e gjysmë më parë dhe kam kuptuar prej tij personalitetin, shpirtin e duhur të kapitenit dhe instinktin e golit. Kemi gjithmonë nevojë për të dhe çmimi do të ishte i merituar.
Ndërkohë, Turam është duke u shndërruar në një Lautaro…
Kisha luajtur me të te Gladbahu. E kujtoj vitin e parë dhe ka pasur një rritje të madhe. Tek Interi ka bërë një tjetër hap të rëndësishëm. Tani misioni i tij është që në çdo 3 ditë të jetë në formë. Ka disa gjëra që njerëzit nuk i shohim nga Turami, si për shembull hapësirat që i krijon Lautaros.
Po Taremi, çfarë sulmuesi është?
Është më shumë sulmues kryesor sesa dy të parët. Një lojtar që brenda zonës është i fortë dhe i pandalshëm. Nuk ka luajtur shumë, por me shumë mundësi do të bëjë mirë.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL