Zotësi dhe fat. Janë dy elemente themelore për ata që luajnë rolin e portierit. Jan Zomer i kishte të dyja në debutimin e tij në Champions League për Interin. Ndaj Real Sociedadit u shpëtua fillimisht nga një shtyllë e Barreneçeas, më pas nga një goditje traverse e Merinos, por në fund shpëtoi skuadrën e tij me të paktën nja dy ndërhyrje të rëndësishme në momentin e vështirësisë maksimale për skuadrën e Inzagit.
Goli i vonë i Lautaros e rregulloi ndeshjen, duke lejuar Interin të largohej nga San Sebastian me një pikë të rëndësishme. Në fund të ndeshjes nuk munguan edhe fjalët e një lideri nga ish-lojtari i Bajern Mynihut, i cili në karrierën e tij mburret me 291 ndeshje në Bundesligë, 92 në kompeticionet europiane, 84 në kombëtaren e Zvicrës: “Në pjesën e parë humbëm një shumë pasime dhe vuajtëm shumë. Nuk ishim në ndeshje. Vuanim edhe presionin e tyre, siç ndodh shpesh në stadiumet spanjolle. Por në fund morëm një pikë shumë të rëndësishme, kjo tregon se jemi një ekip me personalitet”.
SHIFRAT E ZOMERIT – Jemi vetëm në mes të shtatorit, statistikat janë ende të paplota, por ndikimi i Zomerit tek Interi është më se pozitiv, pavarësisht shi frave. Zvicerani ka pësuar vetëm 2 gola në 5 ndeshje: një në derbin me Milanin (Leao) dhe një me Sociedadin (Mendez), gola të pësuar pa gabime të dukshme të tij. Megjithatë, në tri raste Zomeri e mbajti portën e paprekur, kundër Monzës, Kaljarit dhe Fiorentinës. Jo keq për një portier të konsideruar “emergjent”, i cili mbërriti mes skepticizmit në fund të merkatos pas një negociate të gjatë me Bajernin.
KRAHASIMI ME ONANËN – Zomer, 35 vjeç dhjetorin e ardhshëm, u pagua rreth 6 milionë euro nga Interi. Zvicerani ka marrë trashëgiminë e rëndë të Andre Onanës, 27-vjeçar, që shkoi te Mançester Junajtidi për mbi 50 milionë euro. Një lamtumirë që sigurisht ndihmoi arkat e zikaltërve, duke qenë se kamerunasi kishte ardhur me parametër zero një vit më herët nga Ajaksi.
Megjithatë, performanca e Onanës në fillim të sezonit është larg standardeve të parë në 2022/’23 në “San Siro”. Në 6 ndeshje me fanellën e “djajve të kuq”, ai pësoi 14 gola. Katër të fundit në ndeshjen debutuese në Champions League kundër Bajernit, e kompletuar me një gafë në golin e parë të Sanesë. Deri më tani, i fituar nga operacioni ka dalë padyshim Interi.
PANORAMASPORT.AL