Ekipi me renditjen më të ulët në finale, Uellsi, u kualifikua për herë të parë në finalet e Evropianit të Vajzave, pasi e mbylli në krye konkurrimin në grupin e tyre kualifikues duke qenë e pamposhtur me 4 fitore e 2 barazime dhe duke shënuar 18 gola në gjashtë ndeshje, përpara se të mposhtte Sllovakinë dhe Republikën e Irlandës në ndeshjet play-off. Megjithatë, skuadra e Rhian Wilkinson nuk ka fituar në gjashtë ndeshje që atëherë, pasi u rrëzua nga niveli më i lartë i Ligës së Kombeve pas 2 barazimeve e 4 humbjeve. Por trajnerja e Uellsit, Wilkinson kërkon të surprizojë Holandën. “Mendoj se jemi stërvitur mirë dhe ekipi gëzon formë të mirë. Besoj se ky është momenti për të treguar se kush është Uellsi. Deri tani e kemi parë evropianin nga televizori, por tani jemi në fushë dhe do të tregojmë energjinë dhe dëshirën tonë për të fituar. Ky është turneu ynë i parë dhe ne e pranojmë se ka shumë për të mësuar. Le t’i tregojmë botës se kush jemi dhe besoj se duke bërë këtë do t’i surprizojmë të gjithë”.
E vendosur në Grupin D, shumë të vështirë me Francën dhe Anglinë, kjo është e vetmja ndeshje ku Holanda dhe tifozët e saj do të presin vërtet tre pikët. Holandezet luftuan shumë për t’u kualifikuar automatikisht në finalet e këtij evropiani, me Vivianne Miedema që barazoi në minutën e 80-të kundër Norvegjisë, pikë kjo që u nevojitej për të arritur në Zvicër. Ata do të shpresojnë për shumë më mirë këtu kundër Uellsit që renditet 19 vende poshtë tyre në FIFA, dhe duke fituar katër nga gjashtë ndeshjet e tyre të fundit, holandezt sigurisht që hyjnë me vrull në këtë turne.
Formacionet e mundshme:
Uells: Clark; Evans, Ladd, Green; Roberts, Woodham, James, Rowe; Holland, Fishlock; Cain
Holandë: Van Domselaar; Casparij, Janssen, Buurman, Brugts; Pelova, Groenen; Van de Donk, Roord, Kaptein; Miedema