Futbollisti shumë perspektiv i 2 Korrikut, Alpi Shahini ka bërë hapin e madh në karrierën prej futbollisti. Futbollisti nga Ferizaj ka kaluar në një nga klubet më të mëdha kroate, HNK Hajduk Split, ku edhe ka nënshkruar kontratë profesionale për 2 vitet e ardhshme.
Alpi, produkt i Shkollës së Futbollit “2 Korriku”, kalon në futbollin kroat pas angazhimit të tij në futbollin kosovar për vite me radhë, ku fitoi gjithçka si futbollist i moshave të reja e debutimin në ekipin senior të 2 Korrikut e bëri qysh në moshën 16-vjeçare, kur fitoi besimin e trajnerit Besim Ademi e u aktivizua në plot 13 ndeshje duke pasur në këmbët e tij plot 966 minuta qysh në edicionin debutues.
Një ndër mbrojtësit më të mirë të gjeneratës së vitit 2005 në Kosovë, Alpi Shahini tanimë do të ketë mundësinë e artë që ta jetësojë ëndrrën për të cilën ka punuar qysh i vogël.
Ky sukses për të vie si rrjedhojë e profesionalizmit që ai tregoi ndër vite por edhe marëdhënieve fantastike mes klubeve FC 2 Korriku e HNK Hajduk Split që vazhdojnë me bashkëpunim sipas marrëveshjes për bashkëpunim të nënshkruar kohë më parë.
“Është një prej gjërave më të mira në jetën time, kjo mundësi e dhënë në një klub si Hajduk Split. Do të jem gjithmonë mirënjohës ndaj atyre që më ndihmuan që të arrijë këtu. Para vetes kam mundësinë e jetës dhe për këtë do të punojë që të mos e zhgënjejë askënd, por vetëm t’i bëj krenarë të gjithë ata që më besuan”, theksoi Shahini me të kaluar në klubin kroat.
“Nga FC 2 Korriku, stafi, lojtarët dhe të gjithë anëtarët, janë shumë të lumtur për këtë arritje të futbollistit kosovar. Alpit i urojnë të gjithë suksese të mëtejme dhe arritje të majave të futbollit botëror, ashtu siç edhe i meriton si një djalë fantastik që është. Përherë do të jesh një nga ne; përherë do ta kesh derën hapur; përherë do të jemi krenarë me ty, Alpi!”, shkruhet në njoftimin e 2 Korrikut.