Çelsi nuk di të ndalet në merkaton e verës dhe veç shumë largimeve, në skuadrën blu ka pasur edhe afrime të shumta. Së fundmi, Aksel Disasi ka firmosur me “blutë e Londrës” një kontratë 6 vjeçare, që e mban të lidhur në skuadër deri në vitin 2029.
Disasi u transferua te Çelsi nga Monako në Francë, skuadër me të cilën ka shkëlqyer. Operacioni i ka kushtuar klubit londinez plot 45 milionë paund. 25 vjeçari që luan si qendërmbrojtës ka zhvilluar plot 150 ndeshje në kampionatin francez.
“Aksel ka shfaqur cilësinë e tij gjatë disa sezoneve në Francë dhe kjo ka çuar me meritë në njohjen në skenën ndërkombëtare. Ai është gati të bëjë hapin tjetër në karrierën e tij dhe ne jemi të kënaqur. E mirëpresim atë në klub dhe mezi presim që ai të bashkohet me Maurisio Poçetino dhe bashkëlojtarët e tij të rinj në ditët në vijim”, u shprehën dy drejtorët sportivë, Laurens Stjuart dhe Pol Vinstenli.
PANORAMASPORT.AL