S.C Gjilani ka emëruar ish-reprezentuesin e Kombëtares së Shqipërisë, Debatik Curri, në postin e shefit të shtabit teknik të klubit.
Vendimi është marrë pas një analize të kujdesshme dhe konsultimesh të brendshme nga bordi drejtues i klubit, i cili ka vendosur t’i besojë drejtimin teknik Currit, një emër i njohur për profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim gjatë karrierës së tij si futbollist, si në futbollin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar, transmeton lajmi.net.
Në karrierën e tij si trajner, Curri ka udhëhequr FC Prishtinën, me të cilën fitoi Kupën e Kosovës në edicionin 2022/23. Po ashtu, ka qenë pjesë e shtabeve teknike si asistent i parë në FC Prishtina dhe FC Suhareka.
“Sport Club Gjilani i uron mirëseardhje Debatik Currit dhe shumë suksese në këtë sfidë të re,” thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Emërimi i Currit vjen në një moment të rëndësishëm për klubin, i cili synon të rikthehet fuqishëm në garat vendore me një strukturë të re teknike dhe një vizion të qartë për të ardhmen./lajmi.net/