Sulmuesi i Totenhemit, Son Heung-min, në mënyrë të çuditshme është bërë një vit më i ri në moshë pasi Koreja e Jugut ndryshoi ligjin e saj tradicional të regjistrimit të moshës. Sulmuesi koreanojugor e ka kaluar pjesën më të madhe të verës duke dëgjuar një sërë thashethemesh që e lidhin atë me një transferim në kampionatin e Arabisë Saudite që po rritet me shpejtësi.
Megjithatë, pas hedhjes poshtë të këtyre zërave, Son do të fokusohet plotësisht në sezonin e ardhshëm me “spërsat” dhe do të shijojë faktin që edhe “zyrtarisht” është një vit më i ri në vendin e tij. Ligji kaloi fillimisht në dhjetor, pas një fushate të fortë nga presidenti i sapozgjedhur korean, Jon Suk Jeol, por hyri në fuqi vetëm të mërkurën. Metoda origjinale për të llogaritur moshën e një qytetari korean përfshinte periudhën e shtatzënisë për të gjitha foshnjat, që do të thotë se të gjitha llogariteshin si një vjeç në lindje.
Përveç kësaj, çdo korean do të bëhej një vit më i vjetër më 1 janar, edhe ata që kishin lindur në dhjetor. Por tashmë, ky shtet do të zbatojë metodat ndërkombëtare të numërimit të moshës, me foshnjat që do të numërohen si zero në lindje. Në Mbretërinë e Bashkuar, mosha e Sonit, i cili ka lindur më 8 korrik 1992, është klasifikuar gjithmonë me metodën ndërkombëtare dhe do të vazhdojë të jetë një 30- vjeçar. Gjithashtu, ndryshimet nuk do të ndikojnë në regjistrimin e Totenhemit për lojtarin.
Lojtarë të tjerë koreano-jugorë, si objektivi i Bajernit të Mynihut, Kim Minjae, Kang-in Lee i Majorkës dhe Hiun-Giu Oh i Sëlltikut, gjithashtu do të jenë prekur nga ndryshimet. Al-Itihad kishte përgatitur një ofertë prej 51 milionë paundësh për Sonin këtë merkato. Megjithatë, ai nuk dëshiron të shkojë në Arabi dhe tha se paratë nuk kanë rëndësi për të: “Kam shumë gjëra për të bërë në Premier Ligë”, shpjegoi Son. “Paratë nuk kanë rëndësi për mua tani. Rëndësi ka krenaria e të luajturit futboll. Të luaj në ligën time të preferuar është e rëndësishme”, tha kapiteni i Koresë së Jugut, ndërsa ishte në grumbullim me kombëtaren.
ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL