Matteo Politano do të vazhdojë të veshë fanellën e Napolit edhe për tri sezone të tjera. Klubi kampion i Italisë ka zyrtarizuar sot rinovimin e kontratës së sulmuesit të krahut, i cili do të mbetet në “Diego Armando Maradona” deri më 30 qershor 2028.
Lajmi vjen pas një tjetër paraqitjeje të shkëlqyer të 32-vjeçarit në fitoren ndaj Pizës, ku ai tregoi sërish rëndësinë e tij jo vetëm në fazën ofensive, por edhe në mbrojtje. Politano, i cili u bashkua me Napolin në shkurt të vitit 2020 pas eksperiencës me Interin, është bërë një nga lojtarët më të qëndrueshëm të skuadrës.
Në pesë vite e gjysmë me fanellën blu, ai ka regjistruar 238 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 34 gola dhe duke dhënë 35 asistime. Shifrat e bëjnë Napolin klubin ku ai ka luajtur më shumë në karrierë. Politano ishte gjithashtu protagonist i dy titujve kampion në tri vitet e fundit, si dhe i suksesit në Kupën e Italisë.
Në komunikatën zyrtare, Napoli ka përmendur momentet më të spikatura të tij: debutimin në fitoren 4-2 ndaj Sampdorias në 2020, golin e parë kundër Udineses dhe realizimin historik në Champions League kundër Rangers në 2022. “Përgëzime, Matteo!”, përfundon mesazhi i klubit.
Në rrjetet sociale, Napoli e shoqëroi lajmin me sloganin: “Historia vazhdon”, duke marrë mijëra reagime pozitive nga tifozët, të cilët e shohin Politano si një nga shtyllat e skuadrës së Antonio Contes.