Pas muajsh diskutime, është zgjidhur çështja e edicionit 2027 të Superkupës së Spanjës. Ndryshe nga çfarë ishte programuar, kompeticioni këtë herë do të spostohet në Turqi, në datat 2-7 shkurt të vitit të ardhshëm. Kjo ndodh për faktin se në Arabinë Saudite, vendi i përcaktuar fillimisht, në atë kohë do të luhen ndeshjet e fundit të Kupës së Azisë.
Në këtë turne do të marrin pjesë Barcelona, Real Madrid, Real Sociedad dhe Atletico Madrid. Sipas njoftimit të Federatës spanjolle, ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin olimpik “Atatürk” të Stambollit, pas një akordi të arritur me Federatën turke.
Stambolli është zgjedhur si qytet pritës pas një periudhe të gjatë negociatsh. Janë marrë në konsideratë 7 kandidatura nga vende të ndryshme të botës, por në fund është zgjedhur Turqia.
Turneu që mbledh 4 skuadrat më të mëdha spanjolle, mes të cilave kampionen e La Liga dhe Kupës së Mbretit, do të rikthehet në Arabinë Saudite në 2028-ën.
Sipas rregullores, Barcelona, kampione e Spanjës, do të luajë në gjysmëfinale kundër Atletico Madrid, finalist i Kupës së Mbretit. Gjysmëfinalja tjetër vëendos përballë Real Sociedad, fitues i Kupës së Mbretit, me Real Madrid, vendin e dytë në kampionat. Edicionin e fundit e ka fituar Barcelona e Hansi Flick, që mundi në finale Real Madrid me rezultatin 5-2.