Klubi i Bayernit ka konfirmuar sot, zyrtarisht, se ka arritur marrëveshje me trajnerin Vincent Kompany për zgjatjen e kontratës deri më 30 qershor 2029.
Marrëveshja e mëparshme e belgut skadonte në verën e vitit 2027, por drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë vendosën t’i ofronin një kontratë të re, pas suksesit që ka pasur në drejtimin e skuadrës që prej verës së vitit 2024.
Kompany, 39 vjeç, u transferua në Mynih nga Burnley në fillim të sezonit 2024/25 dhe arriti të fitonte titullin kampion të Bundesligës që në vitin e parë në stolin e bavarezëve.
Në fillim të këtij sezoni ai shtoi edhe një tjetër trofe, Superkupën e Gjermanisë, duke e nisur edicionin 2025/26 me ritëm të lartë dhe futboll bindës.
Drejtuesit: Kompany i ka rikthyer kënaqësinë Bayernit
Kreu ekzekutiv i klubit, Jan-Christian Dreesen, shprehu vlerësimin e tij maksimal për punën e teknikut belg:
“Vincent Kompany i ka rikthyer kënaqësinë dhe frymën fituese Bayern-it. Nën drejtimin e tij është formuar një skuadër e vërtetë që luan futboll dominues dhe tërheqës.
Ky rinovim është edhe një sinjal për lojtarët tanë: ne po ndërtojmë një projekt afatgjatë me stabilitet dhe pasion.”
Dreesen shtoi gjithashtu:
“Më pëlqen shumë qetësia dhe përkushtimi i Vincent-it. Ai nuk kërkon vëmendje për veten, por punon me kujdes dhe përmirëson çdo ditë lojtarët e tij.”
Rinovimi i kontratës deri në vitin 2029 e bën Kompany një nga trajnerët me perspektivë më të qëndrueshme në elitën evropiane, ndërsa Bayerni synon të vazhdojë dominimin në Gjermani dhe të rikthehet fuqishëm në garën për Champions League.


