Pas nënshkrimit të kontratës 4- vjeçare, Luka Romero u bë argjentinasi i 27-të në historinë e Milanit. Fantazisti, që mund të luajë edhe si anësor ofensiv, ka dhënë gjithashtu një intervistë për t’u prezantuar me publikun e tij të ri pas përvojës 2-vjeçare te Lacio.
Si ndiheni për zbarkimin tuaj në një klub si Milani?
Për mua është një ëndërr. Jam në një klub me histori të madhe, e uroj të kem një përvojë sa më të mirë. “San Siro” është një stadium i jashtëzakonshëm, e do të kisha dashur të luaja, por mundësia nuk m’u dha kurrë. Uroj që të kem më shumë shanse tani e tutje.
Çfarë djali jeni?
Jam shumë i qetë dhe i ndrojtur. Më pëlqen shumë tenisi dhe jam nga ata të rinj që kalojnë shumë kohë me familjarët.
Cilat janë aspiratat dhe qëllimet tuaja?
Më e rëndësishmja për çdo futbollist është minutazhi. Milani ka lojtarë nivel dhe kam ardhur këtu pikërisht për të mësuar prej tyre dhe të punoj çdo ditë me ta, ndaj jam i bindur se do të rritem më kalimin e kohës.
Ju ishit pjesë e Argjentinës U-20. Çfarë sillni nga përvoja në Botëror?
Gjërat nuk shkuan edhe aq keq, megjithatë do të kisha preferuar titullin, pasi i kishim mundësitë. Eliminimi ishte më i hershëm sesa mendonim, por futbolli kështu e ka. Tani jam te Milani, jam i lumtur dhe mendoj vetëm për t’u stërvitur sa më fort. Nëse luan mirë, ke edhe më shumë kërkesa.
Keni folur me Romanjolin për Milanin?
Po kemi biseduar disa herë përpara transferimit. Ai më tha se Milani është një klub me histori dhe se do të ndihesha mirë. Po jetoj një ëndërr dhe shpresoj që me fanellën kuqezi të bëj realitet ëndrrën time për të luajtur në Ligën e Kampioneve.
Tifozët ju njohin pak, ndaj mund të thoni se cilin rol preferoni?
Më pëlqen të lëviz pas shpinës së “pykës”, pak a shumë në rolin që bënte Diazi vitin e kaluar. Por, mendoj se kam karakteristika për të luajtur edhe në krahët e sulmit.
Cilët janë idhujt tuaj?
Ronaldinjo e Kaka më kanë pëlqyer gjithmonë shumë…
Keni ndonjë mesazh për tifozët tuaj të ri?
Dua t’i falënderoj shumë për mikpritjen. Uroj t’u jap sa më shumë kënaqësi nga fusha.
👤 Shadow walk ready 🔥#ACMQuest #SempreMilan pic.twitter.com/yQu3PWjp1m
— AC Milan (@acmilan) July 7, 2023
PANORAMASPORT.AL