Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë, në Kishën Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” është zhvilluar mesha e veçantë e “Doksologjisë së Flamurit”.
Gjatë shërbesës është përcjellë edhe një lutje për bekimin e flamurit, mbrojtjen e shtetit dhe të popullit shqiptar, si dhe për paqe, liri dhe përparim.
“GËZUAR DITËN E FLAMURIT!
“O Zot, që bekon dhe shenjtëron, ti bekoje flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngesë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nën hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar, me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo.
Se ti je Perëndi mëshirues dhe njeridashës, dhe ty ta dërgojmë lavdinë, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve”.
Urata nga Shërbesa e Dhoksologjisë së Flamurit, që kryhet nëpër kishat orthodhokse”, thuhet në urim.
Edhe kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë një mesazh urimi për shqiptarët me rastin e kësaj feste kombëtare.
Në urimin e tij, Spahiu thekson se dashuria për atdheun duhet të dëshmohet përmes veprave, ndershmërisë, respektimit të të drejtave të të tjerëve dhe kontributit për të mirën e përbashkët.
“Dashuria për atdheun nuk shprehet vetëm me fjalë, por dëshmohet me vepra.
Ta duash vendin tënd do të thotë të jesh i ndershëm, të respektosh të drejtat e të tjerëve dhe të kontribuosh për të mirën e përbashkët.
Sepse atdheu është një amanet që duhet ta ruajmë dhe t’i shërbejmë me përgjegjësi.
Zoti e bekoftë Shqipërinë, i dhëntë paqe, begati dhe një të ardhme të ndritur!”, shkruhet në mesazhin e urimit.