Wednesday, 14. October 2026
Sport

12 vjet nga droni në Beograd, qytetarët: Na ka kënaqur ai moment

GS 14/10/2026 4 Min. Lesezeit

Sot janë bërë 12 vjet nga njëra prej ngjarjeve më të bujshme në historinë e futbollit shqiptar, kur ndeshja ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, e zhvilluar në Beograd në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2016, u ndërpre pas incidentit me dronin që mbante flamurin me simbolet shqiptare.

Ngjarja ndodhi më 14 tetor 2014, në stadiumin “Partizan” të Beogradit. Në minutat e fundit të pjesës së parë, mbi fushë u shfaq një dron me një flamur ku paraqitej harta e trojeve shqiptare dhe simbole të tjera kombëtare. Mbrojtësi serb Stefan Mitroviq e kapi flamurin dhe e tërhoqi, duke nxitur reagimin e futbollistëve shqiptarë. Situata u tensionua shpejt, ndërsa në fushë hynë persona nga tribunat dhe lojtarët shqiptarë u përballën me sulme e përplasje.

Pas ndërprerjes së gjatë, gjyqtari vendosi të mos e vazhdonte ndeshjen. Takimi u ndërpre në rezultatin 0-0, ndërsa incidenti shkaktoi reagime të shumta në arenën ndërkombëtare.

Komisionet disiplinore të UEFA-s e shqyrtuan rastin ku fillimisht Serbisë iu dha fitorja me rezultat zyrtar 3-0, por më pas Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, në korrik të vitit 2015, vendosi në favor të Shqipërisë, duke ia njohur fitoren 3-0.

Edhe pse kanë kaluar 12 vjet nga ajo ngjarje në Beograd, qytetarët vazhdojnë ta kujtojnë atë mbrëmje të 14 tetorit 2014, madje me shumë krenari.

Mirsad Krasniqi për KosovaPress thotë se, pavarësisht viteve që kanë kaluar, ngjarjen e kujton sikur të kishte ndodhur sot.

“Edhe pse kanë kaluar 12 vite, mua më duket sikur sot me qenë, domethënë ishte një, të shprehem me një kënaqësi shumë e madhe domethënë. Gjestin që e ka bërë Ballisti na ka bërë shumë të lumtur”, shprehet Krasniqi.

Ndërkaq, Ismet Leci e kujton ndeshjen si një përballje të fortë, por edhe me rreziqe për futbollistët shqiptarë.

Leci: Ballisti rrezikoi, por bëri një gjest të veçantë

“Po e mbaj mend e ka qenë një ndeshje fort e mirë, por për futbollistët tanë ka qenë edhe e rrezikshme pak. Se ra droni. Ai bravo i qoftë që e ka qit se nuk ka qenë e lehtë me qit atë dron qashtu. Po ai ka rrezikuar. Mirëpo fati i tij që ka ik shpejt, ka kaluar në kufirin e Kroacisë, edhe nuk kanë mundur edhe i ka vendosur aty fytyrat më eminente që kanë qenë aty. Adem Jasharit e Isa Boletinit”, deklaron Leci.

Edhe Sabri Gashi thotë se e kujton shumë mirë atë mbrëmje, duke veçuar emocionet që përjetoi gjatë ndeshjes dhe momentin kur u shfaq droni me flamurin shqiptar.

Gashi: Na ka kënaqur momenti kur Ballisti lëshoi flamurin

“E mbaj shumë mirë mend, edhe më kujtohet fort mirë, se e kemi shikuar, kemi qenë kureshtarë me pa atë lojë. E di që na ka kënaq, sidomos në momentin kur Ballisti, në formën e vet lëshoi dronin me flamur”, thotë Gashi.

I pyetur se si e gjykon veprimin e Ballistit, Gashi thekson se ngjarja nuk mund të ndahet nga ndërthurja e sportit me politikën dhe ndjenjat kombëtare.

Gashi: Ballisti bëri një gjest që rrallëkush do të dinte ta bënte

“Po ajo ka qenë, po gjithkush tash këtë çështjen politike ka ndërhyrë gjithkund, edhe në futboll edhe ai e ka ndjerë veten që është shqiptar, është kombëtar edhe ka dashur ta bëj atë gjest që rrallëkush kishte ditur me e bërë dhe e ka bërë. Për neve ka qenë diçka e jashtëzakonshme”, shprehet Gashi.

Dymbëdhjetë vjet më pas, kjo ngjarje mbetet një prej momenteve më të paharrueshme dhe më të diskutuara të futbollit shqiptar, jo vetëm për atë që ndodhi në fushë, por edhe për pasojat disiplinore dhe vendimin përfundimtar të institucioneve sportive.

 

Teilen: