Wednesday, 14. October 2026
Sport

TENSION TE MILANI! Cardinale shpërthen pas barazimit me Sassuolon, në shënjestër edhe Rabiot

GS 14/10/2026 3 Min. Lesezeit

Barazimi ndaj Sassuolos ka shkaktuar pakënaqësi te drejtuesit e Milanit. Sipas raportimeve të mediave italiane, pronari Gerry Cardinale është i zhgënjyer me paraqitjen e skuadrës, ndërsa vlerësimet e tij për disa futbollistë kanë nxitur debat.

Milani nuk arriti të marrë rezultatin e dëshiruar në përballjen ndaj Sassuolos, duke lënë pas një atmosferë pakënaqësie te tifozët, por edhe te njerëzit brenda klubit.

Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, të përcjella nga MilanNews, Cardinale nuk ishte aspak i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në stadiumin “Mapei”, ndërsa kritikat e tij thuhet se kanë përfshirë edhe Adrien Rabiot.

Mesfushori francez shënoi golin e vetëm të Milanit në këtë takim, por kjo nuk duket se ka mjaftuar për ta bindur pronarin e klubit. Sipas raportimeve, vetëm Diego Moreira dhe Christian Pulisic morën vlerësime pozitive nga Cardinale, transmeton ORAinfo.

Kritikat ndaj Rabiotit mund të komplikojnë rinovimin

Vlerësimi negativ për Rabiotit ka ngjallur diskutime në mediat italiane. Edhe pse francezi nuk zhvilloi ndeshjen e tij më të mirë, ai shënoi një gol që mund t’i kishte dhënë Milanit fitoren.

Për më tepër, klubi është duke diskutuar mundësinë e rinovimit të kontratës me mesfushorin dhe nënën e tij, e cila vepron si agjente. Për këtë arsye, kritikat publike mund t’i komplikojnë më tej negociatat mes palëve.

Edhe vlerësimi pozitiv për Pulisicin është vënë në pikëpyetje nga Corriere dello Sport. Sipas gazetës, përveç një pasimi të bukur në pjesën e dytë për Samuel Chukwuezen, amerikani nuk pati shumë momente të spikatura gjatë ndeshjes.

Ramos vazhdon të vuajë përpara portës

Një tjetër çështje shqetësuese mbetet forma e Gonçalo Ramosit, i cili sërish nuk arriti të shënojë. Megjithatë, përgjegjësia nuk i atribuohet vetëm sulmuesit, pasi shokët e skuadrës nuk po arrijnë ta furnizojnë siç duhet me topa në zonën kundërshtare.

Mungesa e pasimeve cilësore dhe izolimi i tij në repartin ofensiv po ia vështirësojnë punën sulmuesit, duke e lënë shpesh pa mbështetjen e nevojshme.

Pakënaqësia e Cardinales është e kuptueshme në një moment kur Milani synon të jetë konkurrues në nivelet më të larta. Megjithatë, sipas Corriere dello Sport, publikimi i pakënaqësive të tij ndaj futbollistëve të caktuar mund të mos jetë mënyra më e mirë për ta menaxhuar situatën në klub. /ORAinfo/

Teilen: