Wednesday, 30. September 2026
Sport

27 kg bizhuteri argjendi kontrabandë, dy persona nën hetim në Korçë

GS 30/09/2026 1 Min. Lesezeit

Një sasi prej 27 kilogramësh bizhuteri argjendi është sekuestruar në Korçë në kuadër të operacionit policor të koduar “Silver”. Për ngjarjen janë proceduar penalisht dy shtetas, 45 dhe 65 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Dy personat, të identifikuar me inicialet E. M., 45 vjeç, dhe S. P., 65 vjeç, u kapën nga shërbimet e Policisë në shëtitoren “Shën Gjergji”, teksa dyshohet se po shisnin bizhuteri argjendi pa lëshuar fatura tatimore.

Gjatë kontrollit, Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale bizhuteri të ndryshme argjendi, me peshë totale 27 kilogramë. Sipas autoriteteve, mallrat nuk shoqëroheshin me dokumentacion.

Dy personat po procedohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës apo faturës tatimore”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/

Teilen: