Ishte i destinuar të largohej në këtë merkato vere, por në fund, Cristian Shpendi vendosi të qëndrojë te Cesena. Kjo lëvizje rezultoi e goditur pasi “bomberi” kuqezi ka rritur ndjeshëm nivelin e tij duke i bërë një nisje të shkëlqyer këtij fillim sezoni në Serie B.
Numrat flasin qartë, në 4 javët e para, Shpendi ka realizuar 5 gola duke i marrë i vetëm kreun e listës së golashënuesve më të mirë.
Nëse Shpendi arrin të ruajë të njëjtin ritëm, sipas mediave italiane, do të jetë shumë e vështirë që Cesena ta mbajë më gjatë në skuadër. Emri i C.Shpendit mund të jetë një nga emrat më të lakuar gjatë merkatos së dimrit.
Cremonese mbetet një emër fiks, një skuadër që bëri gjithçka për ta afruar në skuadër, kjo ide e tyre pa diskutim është përforcuar edhe më shumë pasi në përballjen e fundit në Serie B, Shpendi i shënoi një “dopjetë” golash.
Në Serie A, Shpendi është një profil që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e Fiorentinës, skuadër që ka kërkuar informacione edhe në të kaluarën.