Interi arriti një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Atalantës me rezultatin 1-2 falë golave të Çalhanoglu dhe Lautaro Martinez. E vetmja gjë e keqe në këtë mbrëmje për zikaltrit ishte dëmtimi i Pavard në pjesën e parë, me mbrojtësin francez që dëmtoi kupën e gjurit dhe pritet të mungojë rreth 8 ndeshje. Në prononcimin e dhënë pas duelit me Atalantën, trajneri i Interit, Inzagi ndër të tjera u shpreh:
“E dinim se do të ishte e vështirë. Djemtë luajtën shumë mirë, Atalanta na bëri presion edhe pa gjuajtur në portë, pastaj morëm kontrollin e ndeshjes dhe deri në 2-0 ishim në kontroll.
Ky Inter është në rrugën e duhur për sa i përket paraqitjeve. Pas njëzet minutash e mbajtëm fushën shumë mirë, më pas goli i tyre rihapi ndeshjen. Ne u afruam disa herë për të shënuar golin e tretë, por nuk e arritëm.
Darmian hyri shumë mirë në një ndeshje të vështirë. Pavard? Duhet të presim, është nota e vetme negative e mbrëmjes. Në përplasjen me Lookman kapaku i gjurit doli pak, pastaj mjekët ia rivunë në vend.
Pavard ishte shume i lumtur për fitoren por pak shqetësim ka. Djaloshi nuk ka dhimbje, por ka pasur një zhvendosje të rëndësishme në gju. Do te shohim në ditët në vazhdim. Ai është i qetë, për mendimin tim do ta humbasim për pak kohë. Festimi i tij në golin e parë? Janë imazhe që e kënaqin një trajner”, u shpreh Inzagi.
PANORAMASPORT.AL