Çabi Alonso çdo ditë e më shumë po kthehet në një nga personazhet kryesorë në futbollin europian. Spanjolli, në eksperiencën e tij të parë të rëndësishme në pankinën e një klubi, po arrin rezultate mbresëlënëse dhe po kthen Bajer Leverkusen në vitet e tij të lavdishme,
Starti i këtij sezoni për këtë skuadër nën drejtimin e ish-mesfushorit është për rekord. Në fakt, ka siguruar 31 pikë nga 33 të mundshme në Bundesligë, duke lënë pikë rrugës vetëm në atë barazim 2-2 në fushën e Bajern Mynih. Një start që barazon rekordin e Bajernit të Pep Guardiolës në sezonin 2015-2016, si më i miri i të gjitha kohëve në Bundesligë pas 11 javësh.
Makineria e ndërtuar nga Çabi Alonso nuk ka ndër mend të ndalet dhe me këto ritme, duket se është rivalja e vërtetë që po tenton të thyejë hegjemoninë disavjeçare të bavarezëve që e ndjekin aktualisht me dy pikë më pak në renditje.
Në fakt ekipi i tij është dominues në ccdo aspekt me një lojë spektakolare sulmuese. Si rrjedhojë, ai barazim në Mynih është i vetmi i këtij sezoni, me të gjithë ndeshjet e tjera zyrtare që kanë përfunduar me fitore, plot 16 të tilla. Që nga ai barazim me Bajernin, kanë ardhur radhazi 12 fitore, si asnjë klub tjetër në 5 kampionatet e mëdha në Europë aktualisht, me Interin e Zhironën që e ndjekin me vetëm 6 të tilla. Dhe me 59 gola të shënuar në këtë edicion nw tw gjitha kompeticionet, Bajer Leverkusen është skuadra që ka realizuar më shumë në 5 kampionatet kryesore në kontinent.
PANORAMASPORT.AL