Vija e parë sulmuese më e mirë e këtij sezoni në Premier Ligë i përket treshes së Mançester Sitit, Erling Haland, Julian Alvarez dhe Fill Foden. Me fituesit e tripletës së vitit të shkuar që renditen në vendin e parë edhe në sezonin aktual, mbi Liverpulin dhe Arsenalin, kjo mund të mos jetë surprizë për disa. Por, duke parë se cilat treshe sulmuese kanë luajtur më shumë herë së bashku, Haland, Alvarez dhe Foden kanë së bashku 30 gola plus asiste këtë sezon, që janë katër gola dhe asiste më shumë se rivalët e tyre më të afërt.
Me 13 golat e Halandit deri më tani këtë sezon, katër të Alvarezit së bashku me tre të Fodenit, sulmuesit e Guardiolës kanë shënuar 20 gola mes tyre, përveç 10 asisteve. Në vendin e dytë renditet trioja sulmuese e Liverpulit, e përbërë nga Mohamed Salah, Darvin Nunjez dhe Diogo Zhota, të cilët kanë regjistruar 18 gola dhe 8 asiste këtë sezon. Ndërkohë, vija e parë sulmuese e Aston Vilës e përbërë nga Olli Uatkins, Musa Diabi dhe Leon Beili kanë qenë trioja surprizë deri më tani këtë sezon, pasi kanë regjistruar 23 gola dhe asiste së bashku.
Lojtarët e Unai Emerisë kanë qenë një zbulim deri më tani dhe Uatkins kryeson për “Villains” me gjashtë gola në 12 ndeshje, ndërsa Diabi dhe Beili kanë kontribuar nga tre secili. Ata kanë regjistruar gjithashtu 11 asiste, me Diabinë dhe Uatkinsin që janë të dytët për sa i përket numrit të shanseve të krijuara në kampionat. Totenhemi ka sulmin më të mirë të radhës me 20 gola dhe asiste të kombinuara.
Son Heung-min kryeson me tetë gola, ndërsa Dejan Kulusevski dhe Xhejms Medison kanë nga tre. Ata kanë regjistruar gjithashtu gjashtë asiste të kombinuara, por vetëm Medison ka kontribuuar në pesë prej tyre. Çuditërisht, treshja e Çelsit, Nikolas Xhekson, Kol Palmer dhe Rahim Sterling janë të radhës në renditje, mbi Edie Nketiahun, Bukajo Sakën dhe Martinelin e Arsenalit. Gjashtë golat e Xheksonit të kombinuar me katër të Palmerit dhe Sterlingut kontribuojnë secili në 17 gola dhe asiste në total. Ndërsa treshja që ka luajtur më shumë minuta e Arsenalit, Nketiah-Saka-Martineli, kanë regjistruar vetëm 10 gola dhe 6 asiste.
Nuk është surprizë nga ana tjetër që sulmi i “djajve” nuk ka funksionuar këtë sezon. Prandaj vija e parë e ofensivës së Ten Hagut, e përbërë nga Markus Rashford, Rasmus Hojlund dhe Antoni, kanë shënuar vetëm një gol dhe 1 asist të kombinuar deri më tani këtë sezon. Si goli ashtu edhe asisti mbajnë firmën e Rashfordit, i cili shënoi 30 gola në të gjitha kompeticionet sezonin e kaluar për Junajtidin.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL