Pas probleme fizike që nuk e lejuan në eliminatoret e kaluara që të ishte ndihmë për Kombëtaren e tij, më në fund Italia mund të mbështetet edhe te Federiko Kieza, i cili duket se këtë herë është rikthyer më i karikuar se kurrë.

Madje, në konferencën e djeshme për shtyp, të paktën nga tonet, dukej sikur ishte ai trajneri i “Axurrëve” dhe jo Spaleti: “T’i lëmë mënjanë fjalët apo të rrotullohemi rreth tyre. Kjo është një ndeshje jetike për fatin tonë dhe unë jam i lumtur që më në fund mund të kem mundësinë të ndihmoj përfaqësuesen e vendit tim. Duhet të kualifikohet dhe pikë, ndryshe do të thotë se nuk jemi një skuadër. Dhe mbi të gjitha është e kotë që jemi mbledhur të gjithë këtu. Ndoshta trajneri Spaleti ka vetëm dy muaj që është këtu dhe ju gazetarët kërkoni gjithmonë atë lajmin brenda lajmit, që shpesh nuk janë shumë të bukur. Por ju garantoj se po lind një kombëtare fantastike. E shihni sa shumë talent ka këtu?! Duhet të fitojmë këtë ndeshje, duhet të mundim edhe Ukrainën dhe të shkojmë në Europian. Ne jemi Italia, jemi kampionët në fuqi të Europës, por në të njëjtën kohë i dimë edhe rreziqet që na presin. Por nëse rreziqet janë diçka e pranueshme, frika absolutisht jo. Sigurisht, edhe unë nuk i kam harruar kujtimet e këqija ndaj Maqedonisë së Veriut në Palermo, por atë ndjenjë nuk e dua më në trupin tim. Mendimet e këqija luftohen vetëm duke fituar dhe duke ndryshuar të shkuarën e shëmtuar. Duam të shkojmë në ‘Euro 2024’, por për ta bërë këtë duhet të kualifikohemi dhe pikë. Nuk ka Europian pa Italinë, Italia duhet të jetë në Gjermani verën tjetër protagoniste dhe madje duhet të kërkojë të ruajë fronin. Jemi gati, pasi për asnjë nga ne nuk ka më kthim pas, mbrapa kësaj sfide”, deklaroi me tone të forta Federiko Kieza.
JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

