Sfida mes Interit dhe Atletiko Madrid në Ligën e Kampioneve do të jetë e veçantë për Lautaro Martinez. Kjo, pasi argjentinasi mund të kishte qenë një futbollist i madrilenëve dhe jo pjesë e zikaltërve nëse në vitin 2017 do të kishte përmbushur marrëveshjen që kishte firmosur me klubin spanjoll.
Martinez kishte rënë në sy të shumë klubeve të njohura në Europë dhe Atletiko Madrid, në pankinën e të cilit drejtonte prej disa vitesh Diego Simeone, ishte i pari në listën e skuadrave që e kërkonin. Futbollisti nënshkroi një marrëveshje me klubin në fjalë dhe mediat spanjolle e bënë fakt të kryer transferimin.
Por Lautaro Martinez nuk desh të paguante vetë klauzolën e largimit nga Racing në vendlindje. Interi nuk ngurroi ta bënte një gjë të tillë pas hezitimit të Atletikos dhe sulmuesi argjentinas u bë pjesë e zikaltërve në vitin 2018.
Si për ironi të fatit, edhe goli i tij i parë si futbollist i Inteirt erdhi në një ndeshje miqësore kundër Atletiko Madrid, në gushtin e vitit 2018. Një ekzekutim me akrobaci që entuziazmoi tifozët e Inteirt, të cilët shpresojnë të shohin përsëri të tillë në përballjen e dyfishtë të vitit të ardhshëm.
PANORAMASPORT.AL