Në dimrin e vitit 2014 Sasuolo sfidonte Milanin në krizë të drejtuar nga Alegri. Zigjelbërit paraqiteshin pas 400 minutave pa gol, por fitonin 4-3 me “poker” të firmosur nga Berardi që dukej se do të zbarkonte në një klub të madh. Janar 2023, Sasuolos mund përsëri Milani në krizë rezultati. Atë herë 5-2 dhe Berardi me shiritin në krah shënon një herë.
Jemi përsëri në dimër të 2023-shit dhe Berardi me Sasulon do të zbarkojnë në “San Siro”, teksa përballë do të kenë një Milan në krizë, me Piolin në dyshim të fort mbi rolin e tij. Ka disa mënyra për të dalë nga kjo situatë dhe po “servirim” katër.
1. MOTIVIM I LARTË – Menaxhimi i grupit është ndoshta pika më e rëndësishme. Milani tregoi një qasje të tmerrshme në Salerno, me disa lojtarë më të kritikuar se të tjerët për gjuhën e tyre të trupit: Rafa Leao dhe Theo Hernandez. Francezi është shumë, por shumë larg versionit të tij më të mirë, ndërsa portugezi edhe pse më i rrezikshmi, duket në moment të vështirë. Në të vërtetë, në qëndrimin e tij ai ishte më i prirur drejt polemikave sesa nervit të lojës. Pioli duhet të fillojë me ta nëse dëshiron të ndryshojë qasjen ekipore. Loftus-Çik ndoshta do t’i ndiqte ata, duke dalë nga momenti i tij i errët, më i keqi që kur u vendos në Milano.
2. BASTET PËR BESNIKËRI – Kur atmosfera nxehet, trajnerët shpesh e luajnë me lojtarët më besnikë. Herë Pioli e bënte, herë të tjera jo sepse… besnikët e tij ishin në tribunë me paterica. Formacioni Milan-Sassuolo, me siguri, do të fillojë me lojtarët mbi të cilët ndërtoi Milani 2023-24. Pulisiç dhe Reijnders. Menja e Kalabria. Simboli, megjithatë, është Olivie Zhiru. Francezi ka zgjidhur problemet e Piolit disa herë. Derbi i vitit 2022 është ndeshja ikonë, por fsheh shumë të tjera. Milan-Salcburg, MilanPsg, Milan-Torino në shkurt, derbi i fundit i fituar në shtator 2022. Milan-Sasuolo do të jetë një ndeshje e hapur, paksa e çmendur, me shumë gola mbase: Pioli tashmë e di se kujt t’ia kërkojë.
3. MBROJTJA E RE — Taktikat do të jenë çështje për sot e nesër, por Pioli tashmë e di se mbi të gjitha duhet të organizojë një mbrojtje të paparë më parë. Titullarët, Çau dhe Tomori, nuk do të jenë. Për alternativën e parë, Kalulu, duhet pritur muaji shkurt. Zgjidhja e mundshme është një çift i paparë: Jan-Karlo Simiç dhe Simon Kjaer. Adoleshenti dhe veterani. Ata nuk njihen, por ndaj Monzas luajtën bashkë për 40 minuta pa pësuar gol. Pioli ka arsye të mira për të besuar. Kjaer sigurisht që nuk është në kulmin e formës, por mund të luajë duke dëshmuar se ka mjaft përvojë për të shkruar manualin e qendërmbrojtësit perfekt. Simiç, nga ana tjetër, ka treguar se ka mendjen e duhur, sheh mundësi, jo probleme të mundshme. Kjo nuk do të thotë se ata nuk shkojnë mirë bashkë.
4. PUNA — Ata që punojnë afër Piolit thonë se dogma e momentit të tij është më shumë se kurrë puna. Të jepet më e mira dhe të punohet. Kur je në vështirësi, kjo është gjëja më e mirë. Ai punoi gjatë festave (shumë të shkurtra) të Krishtlindjeve, do të punojë sërish sot, duke u përpjekur ta mbajë ekipin të bashkuar dhe të gjejë koordinimin për një tjetër hov në jetën e tij milaniste. Sepse po, edhe Pioli mund të jetë në momentin më të vështirë, por me Milanin ka qenë në krizë edhe më parë. Gjithmonë ka dalë me lojë të mirë, kryelartë dhe me përgjigje krenare nga skuadra. Kush tha që nuk mund ta bëjë rishtazi?
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL