Bajern Mynih po vijon minifazën përgatitore në Portugali, përpara ndezjes së “motorëve” në duelin e ditës së shtunë ndaj Verderit. Tomas Tuhel, në pozitën e “timonierit” ka parashtruar në intervistë transformimin e Leroi Sanes përgjatë ciklit ekzistues, sikurse edhe kritikat që ai ka marrë në Mynih, ndonëse bavarezët grumbullojnë numrin më të lartë të golave në top-5 ligat kryesore të Europës dhe në gjirin e tyre ndodhet bomberi më në formë, Herri Kejn.
EVOLUIMI I SANESË- “Me Leroin kam kaluar mjaftueshëm kohë dhe mes nesh ka mbizotëruar frymë pozitive. Ia kam shpjeguar deri më detaje se çfarë dua nga ai në fushë dhe i ka realizuar me së miri detyrat. Në përgjithësi po jep rezultate fantastike me klubin, madje statistikat demonstrojnë se është cikli më frytdhënës për Sanenë, ndonëse jemi ende në mes të sezonit dhe shumë sfida të tjera na presin.
Në duelin me Hofenhaim, përtej dopietës së asisteve, e pabesueshme ishte forca e tij fizike. I jashtëzakonshëm, si një përbindësh i vërtetë në fushën e lojës. Kreativitet, freski, shpejtësi, siguri, ishin elementët që mbizotëruan në tempin e 28-vjeçarit. Inkuadrimi në krahun e majtë nuk erdhi në mënyrë rastësore. Këtë korsi e ka mbajtur edhe gjatë periudhës në Mançester, e cila e mban më të lidhur me Kejnin në kombinimet efikase.
Mungesa e Komanit duket se ka dhënë edhe anë pozitive”, tha mes të qeshurash Tomas Tuhel. Me shumë gjasa Koman dhe Sane do të ndërrojnë linjat në pjesë e mbetur të sezonit.
KRITIKAT NË GJERMANI-“Nuk e kam aspak të vështirë ta pranoj se tifozët, analistët dhe mediat në përgjithësi të vlerësojnë më shumë në Angli sesa në tokën gjermane. Këtu kritikat janë në shkallë mjaft të lartë, duke nisur mes futbollistësh, trajnerësh, e deri tek analiza e futbollistëve që kanë lënë gjurmë në futboll. Duhet ta pranoj, nuk është një koment, por fakt. Eksperienca e gjatë në të dyja vendet më ka ndihmuar t’i njoh më mirë këto terrene në spektrin e gjykimit profesional”, përfundoi trajneri i kampionëve të Bundesligës Tuhel.
Lotar Mateus dhe Ditmar Haman janë dy protagonistë që e kanë vendosur shpesh herë me shpatulla pas muri teknikun 50- vjeçar, aq sa ai ta cilësonte Haman “të shkarë”. Fitimi i kampionatit nga gjermanët dhe rrugëtimi të paktën deri në fazën gjysmëfinale të Champions-it janë objektivat që bordi i ka vendosur Tuhelit, në të kundërt Ksabi Alonso do të shndërrohej ne kërcënim serioz.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL