Andrea Anjeli shfaqet përsëri në skenë. Ish-presidenti i Juventusit, është larguar disi nga tabloja pasi është ende i dënuar për shkak të shkeljeve që kreu në drejtimin e Juventusit, si çështja e plusvalencave dhe ajo e manovrave të rrogave të futbollistëve bardhezinj. Por në një intervistë për “Financial Times”, ai ka shpjeguar bindjen e plotë që ka se nuk ka thyer asnjë rregull.
Gjithçka nisi me afrimin e një ylli si Ronaldo në radhët e bardhezinjve, pasi ai kishte shpenzime të mëdha dhe u kërkuan manovra të rëndësishme financiare për të rregulluar bilancet në një periudhë kur futbolli vuajti pasojat e COVID.
“Ronaldo ishte një lëvizje e mirë. Më jepni Ronaldon dhe më lejoni ta hedh në fushë pa pandeminë, është një histori r tjetër. Plusvalencat? Mbetem i bindur që çdo gjë që kemi bërë, e kemi bërë duke ndjekur rregullat dhe standardet financiare, jam super i qetë”, tha fillimisht Anjeli i cili tashmë jeton në Amsterdam, ku bashkëpunon me kompaninë “A22” për të ndërtuar Superligën, tek e cila beson përsëri verbërisht.
“Që kur u transformua nga lojë në biznes, futbolli nuk ka evoluar administrimin për të menaxhuar aspektin tregtar. Është e drejtë të themi që pjesa më e madhe e klubeve humb para. Ose jemi të gjithë të paaftë, ose sistemi ka disa mangësi.
Superliga ishte një përgjigje për problemet që futbolli kishte dhe vazhdon të ketë si paqëndrueshmëria financiare apo polarizimi. Unë nuk i kam vënë askujt pistoletën në kokë. Kanë firmosur të gjithë lirshmërisht. Disa edhe nga frika që të mos mbeteshin jashtë, disa të tjerë më të ndërgjegjshëm, por të gjithë kanë firmosur lirshmërisht.
Një projekt të ngjashëm e kam diskutuar me Al Khelaifin më parë. Më kujtohet që kam shkuar në Paris në mes të COVID, ashtu në rrugë, qyteti ishte i shkretuar. Unë dhe Naser kemi folur për një turne të ri, duke thënë se kishim nevojë për një ndryshim, pasi nëse nuk do të ndryshonim, do të ishim të vdekur”, tha ndër të tjera Anjeli.
PANORAMASPORT.AL