Skuadra e Dritës ka siguruar një fitore të madhe në ndeshjen e sotme ndaj Ballkanit.
‘Intelektualët’ triumfuan me rezultat 1 me 0, duke rihapur garën e madhe për titullin kampion në Superligën e Kosovës, shkruan GazetaBlic Sport.
Kjo humbje e Ballkanit e rikthen Dritën në ‘valle’ për titullin kampion, e cila ka 40 pikë në vendin e tretë, por e motivon jashtëzakonisht Llapin, i cili në rast të një fitore në ndeshjen e nesërme ndaj Fushë Kosovës, do të afrohet në vetëm një pikë me ‘Xhebrailat’.
Duhet cekur që ky takim u shoqërua me polemika të mëdha, fillimisht presidenti i skuadrës së Ballkanit, Arsim Kabashi u fut në dhomën e gjyqtarëve, atje ku u kërkua intervenimi i policisë. Sipas raportimeve të mëhershme nga mediat kosovare, kjo nuk është hera e parë që Kabashi e bën këtë gjë dhe që natyrisht nuk është aspak profesionale.
Kritika në gjyqtarin Ilir Mehmeti kishte dhe trajneri i Dritës, Zekirja Ramadani pas ndeshjes, madje referimin e tij e cilësoi si skandaloz, pavarësisht që skuadra e tij doli fituese në këtë përballje. Duhet cekur që Ramadani u përjashtua me karton të kuq, kjo pas një proteste të madhe që kishte ndaj kryesorit Mehmeti.
Ka një kohë të gjatë që tifo-grupi, ‘Intelektualët’ nuk po e përkrahin skuadrën e tyre në tribuna, kjo për shkak të disa pakënaqësive që kishin si dhe kërkesës së tyre për shkarkimin e drejtorit sportiv, Valon Zymberi. Pikërisht në drejtim të tyre kishte një kërkesë trajneri Zekirja Ramadani, i cili i ftoi ata të kthehen në mbështetje në shkallët e stadiumit.
/GazetaBlic Sport/