Lajme të mira për të gjithë tifozët e Milanit dhe Interit, të cilët kanë të lidhura emocione të forta me stadiumin mitik “San Siro”.
Në një takim mes kryebashkiakut të Milanos, Giuseppe Sala dhe drejtuesve të lartë të të dy klubeve, Antonello nga Interi dhe Scaroni nga Milani, është hapur sërish mundësia e rikonstruksionit të stadiumit historik të kryeqendrës së veriut italian.
Ka qenë kompania e mirënjohur e ndërtimit, WeBuild, ajo që ka propozuar një plan për të rikonstruktuar dhe modernizuar impiantin aktual, pa penguar klubet që të luajnë rregullisht dhe me tifozë ndeshjet aty.
Pikërisht ky propozim bëri që kryebashkiaku të thërrasë klubet menjëherë në takim, teksa ka qenë vetë komuna e Milanos ajo që ka dhënë detaje mbi ecurinë e bisedimeve të sotme.
Kështu klubet kanë kërkuar një plan të detajuar të ndërhyrjeve në stadium, të përshtatur edhe me kalendarin e tyre sportiv, por edhe të eventeve të tjera të planifikuara për t’u mbajtur pikërisht në “San Siro”.
Gjithashtu ata kanë kërkuar sigurinë maksimale për tifozët dhe kanë vendosur si kusht të panegociueshëm kalimin e pronësisë së stadiumit nga bashkia, te Interi dhe Milani.
Në të njëjtën kohë, dy klubet kanë kërkuar edhe hartimin e një plani konkret për rikualifikimin e zonës, në mënyrë që të shndërrohet në një atraksion turistik të vazhdueshëm dhe jo vetëm në ditët e ndeshjeve.
Interi dhe Milani ndërkohë kanë deklaruar se po ecin përpara me projektet përkatëse për të ndërtuar stadiumet e tyre, në dy zona periferike të Milanos, por nëse brenda muajve të ardhshëm do të binden nga projekti i detajuar, i ofruar nga bashkia, janë gati të heqin dorë dhe të qëndrojnë njëherë e mirë në “San Siro”, këtë herë si pronare të stadiumit…