Thursday, 22. January 2026
Sport

Hyseni shpallet “Ylli i Javës”

GS 23/02/2024 2 Min. Lesezeit

Sulmuesi i skuadrës së Llapit, Muhamet Hyseni është shpallur futbollisti më i mirë për xhiron e 21-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), të premten ka njoftuar se Hysenit i është dhënë çmimi “Ylli i Javës”, i cili ndahet për lojtarin më të mirë pas përfundimit të çdo xhiroje të Superligës.

Vlerësimi për më të mirin e javës është bërë nga një komision i veteranëve të futbollit, i cili ka konstatuar se Hyseni ishte lojtari më i dalluar i xhiros së fundit, pasi pati paraqitje shumë të mirë.

Për Hysenin, kjo është hera e katërt që nderohet me çmimin “Ylli i Javës” këtë edicion. Në fakt, Hyseni ishte ndër më të dalluarit te Llapit, ekip që triumfoi 3:0 ndaj Fushë Kosovës në udhëtim. Në këtë fitore, Hyseni kontribuoi me një gol dhe një asistim.

“Jam shumë i lumtur që për herë të katërt nderohem me këtë çmim, të cilin e ndaj me bashkëlojtarët. Për mua është vetëm fillimi i një rrugëtimi të suksesshëm. Nuk do të ndalem asnjë moment për suksese të reja”, ka thënë ndër të tjera Hyseni për faqen zyrtare të FFK-së.

Aktualisht, Hyseni është golashënuesi më i mirë në Superligë, me 16 gola të realizuar.

Teilen: