Kampionatet në Europë kanë hyrë në fazën më të nxehtë, ndonëse në “top-5” e ligave kryesore, vetëm Premier Liga mbetet e ethshme për titullin me protagonist Liverpulin, Mançesterin Sitin dhe Arsenalin.
Bundesliga në plan të parë ka marrë tablonë e hesapeve të mbyllura, ku Leverkusen nuk ndalet, asnjë humbje në 23 javë kampionat, e përkthyer me distancën prej 8 pikësh nga Bajern Mynih. “Armata” e Ksabi Alonso ka një arsyeje shumë të fortë që të trembet nga kampionët ekzistues dhe ajo përkon me binomin Herri Kejn-Leroi Sane.
PËRFSHIRJA në gola-Në bazë të statistikave mbi ligat më të rëndësishme në kontinentin e vjetër, rezulton se Kejn dhe Sane mbartin numrin më të lartë të mesatares në përfshirjen e finalizimeve te Bajerni, 81%, vërtet e frikshme. Asnjë ekipi tjetër në ligat më elitare nuk ka shifër kaq të lartë finalizimesh (gola + asiste) nga dy futbollistë të vetëm. Konkretisht, Herri ka kontribuar me 27 gola dhe 8 asiste, shto 5 konkretizime dhe 11 shërbime të Sanes në favor të grupit. Në total Bajern Mynih e ka nuhatur saktë kuadratin mik 63 herë, përgjatë 23 raundeve në Bundesligë, kurse binomi Kejn-Sane numëron 51 përfshirje në shënim.
Nëse marrim të veçuara të dhënat e Kejnit, theksohet se ai ka ndikim “jashtëtokësori” në ekip, madje ka ndikim edhe më të madh sesa Robert Levandovski në periudhat më të “arta” në Mynih. Sulmuesi anglez është inkuadruar në 32 finalizime, 52.3% (Bundesligë). Levandovski në gjirin e bavarezëve, arriti të shënojë numrin më të lartë rasteve para portës në ciklin 2020-2021, 41 herë, rekord brenda një sezoni të vetëm në ligën gjermane, e diktuar nga mesatarja 48.5%.
NDJEKËSIT-Borha Majoral dhe Mason Grinud mbajnë vendin e dytë në këtë klasifikim. Më pas vijnë GuirasiUndav, të cilët mbyllin shkallën më të ulët të podiumit. Zhiru dhe Pulisiç janë vendimtarë te Milani me 66% të golave për kuqezinjtë në Seria A. Nuk mbeten pas as rivalët e Interit dhe Juventusit. Vlahoviç-Kieza i kanë marrë përdore bardhezinjtë në kampionat, 65.9% të konkretizime në total. Djemtë e Inzagit kanë krijuar varësi nga dyshja Lautaro Martinez-Markus Turam.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL