Nënkryetari i Barcelonës Eduard Romeu ka paraqitur dorëheqjen e tij si drejtor i Barçës, është bërë e ditur sot nga klubi katalanas. Me këtë rast, presidenti Joan Laporta ka thirrur një konferencë për shtyp për të shpjeguar arsyet e dorëheqjes së tij.
“FC Barcelona informon se Eduard Romeu, nënkryetar i Zonës Ekonomike të Klubit, i ka paraqitur dorëheqjen presidentit Joan Laporta, duke përmendur papajtueshmërinë me përkushtimin e plotë në punën e tij profesionale.
Presidenti Laporta e ka pranuar dorëheqjen duke e falënderuar për punën e tij në krye të Zonës Ekonomike të Klubit, fokusuar në zhvillimin e planit të qëndrueshmërisë të nisur gjatë këtij mandati dhe që ka arritur të përmbysë situatën financiare të institucionit”, thuhet në njoftimin e Barcelonës.
Joan Laporta dhe Eduard Romeu, do të dalin pas pak minutash në konferencën për shtyp. Në parim nuk do të ketë kohë diskutimi dhe do të sqarohen vetëm arsyet e dorëheqjes së zëvendëspresidentit ekonomik dhe ndryshimet që do të ndodhin në strukturën e klubit që nga ky vendim.