Klubi i futbollit ‘KF Besa Peja’ ka angazhuar ekipin teknik dhe kryetrajnerin për ekipin e meshkujve të cilët do të angazhohen në mënyrë të të mbledhin ekipin e lojtarëve për të filluar sezonin 2024/25.
Ekipi i mbledhur do të kyçet në Ligën e tretë dhe nga aty synon Superligën e Kosovës dhe në fund edhe daljen në Evropë.
Trajneri Fisnik Gashi me një përvojë të gjatë dhe rezultate të mira në ligat e Kosovës ka marrë këtë punë për një afat të gjatë dhe planet e tija janë afatgjate.
“Nuk është me rëndësi në cilën ligë fillojmë me rëndësi është ku po synojmë të arrijmë. Unë kam pa organizim të mirëfillte, njerëz serioz që kanë vendos qëllime afatgjate”, ka thënë Gashi.
Gashi ka qenë trajner i klubit ‘Besa’ në ligën e parë të Kosovës, ka qenë trajner i Istogut gjithashtu në këtë ligë me të cilin janë arritur rezultate më të larta se sa janë pritur.
Gjithashtu në qytetin e Pejës ai ka punuar me klubin ‘Rilindja’. Për Gashin ‘Besa Peja’ do të jetë ekip i promovimit të talentit të futbollit në Pejë dhe rrethinë, ku secili futbollist i këtij rajoni do ta dijë se ka një ekip ku mund të promovohet.
“Ne tashme kemi filluar skauting dhe të gjithë lojtarët do të inkuadrohen në ekip për afat të gjatë, pra kontrata dy-tri vjeçare. Ekipi gjatë kohës do të plotësohet me lojtarë të tjerë por do të ketë një grup bazë të planifikuar në mënyrë afatgjate”, shtoi ai.