Shorti i fazës çerekfinale së Europa League nuk ishte edhe aq i favorshëm për Atalantën e Berat Gjimshitit që do të sfidojë një nga skuadrat më të forta të mbetura në garë, Liverpoolin.
Megjithatë, për ish-trajnerin e kombëtares së Italisë, Cesare Prandelli, bergamaskët e kanë shansin për t’i hapur punë anglezëve pasi sipas 66-vjeçarit, asnjë skuadër në Premier League nuk luan si Atalanta e si rrjedhojë trajneri Jurgen Klopp nuk ka një orientim të qartë për këtë ndeshje.
“Fati donte që në këtë fazë të luhej kjo ndeshje që besoj do të jetë e mrekullueshme. Besoj se atmosfera do të jetë shumë e zjarrtë jo vetëm në Anfield, por edhe në Bergamo.
Unë besoj se Atalanta mund të bëjë surprizën, edhe pse në këto ndeshje duhet të jesh patjetër në 100% dhe në fushë të japësh gjithçka. Mendoj se Klopp nuk e ka të lehtë këtë sfidë me Atalantën. Në Premier League askush nuk luan si Atalanta dhe trajneri gjerman nuk ka një pikë referimi për këtë sfidë”, u shpreh Prandelli.